Ballina Kryesore Genet e hundës së njeriut janë trashëgimi nga njeriu Neandertal

Genet e hundës së njeriut janë trashëgimi nga njeriu Neandertal

Sipas një studimi, ne kemi më shumë nga njeriu Neandertal në ADN-në tonë. Bëhet fjalë për genet që modelojnë hundën, të cilat janë trashëgimi e njeriut Neandertal, pasi forma është më e përshtatshme për të përballuar klimën më të ftohtë jashtë Afrikës.

Shpesh është hipotizuar që forma e hundës e njeriut të sotëm Homosapiens, është rrjedhojë në fakt e një selektimi natyror, pasi na ndihmon të rregullojmë temperaturën e lagështirës së ajrit që thithim.

Konfirmimi vjen nga studimi i fundit i drejtuar nga universiteti kinez Fudan që është publikuar në revistën shkencore “Communication Biology” dhe ka analizuar të dhënat e rreth 6000 vullnetarëve me origjinë të përzier evropiane, indiane, amerikane dhe afrikane.

Si rezultat, është zbuluar geni Atf3 që ka prani të materialit gjenetik të trashëguar nga Neandertalët, njerëzit e parë që kanë populluar Euroazinë. Ndërkohë që rreth një vit më parë në një tjetër studim të ngjashëm, u zbulua se një tjetër gen që modelon formën e buzëve, mbërrin nga njeriu i Denisovës.

Deri më sot sipas komunitetit shkencor, 2% e gjenomës tonë mbërrin nga njeriu Neandertal, por vetëm në popullsitë jo afrikane.