Ballina Kryesore Diarrea- Çfarë është dhe nga se shkaktohet

Diarrea- Çfarë është dhe nga se shkaktohet

Diarrea, jashtëqitja e ujshme që ndodh më shumë se tre herë në ditë, është një problem i shpeshtë i cili zakonisht ndalon vetë pa asnjë trajtim të veçantë. Megjithatë diarreja e zgjatur në kohë mund të jetë shenjë e ndonjë problemi serioz. Njerëzit me diarre mund të kenë katër ose më shumë jashtëqitje në ditë.

Diarreja mund të shkaktojë dehidrim që do të thotë se trupi ka pamjaftueshmëri të lëngjeve për të kryer funksionet e tij.

Dehidrimi mund të jetë i rrezikshëm tek fëmijët dhe tek të moshuarit, prandaj ai duhet trajtuar menjëherë për të shmangur problemet serioze me shëndetin.

Njerëzit e çdo moshe mund të kenë diarre. Një i rritur mund ketë përafërsisht 4 herë në vit diarre.

Nga se shkaktohet diarrea?

Diarrea mund të shkaktohet nga një problem i përkohshëm si për shembull nga një infeksion i thjeshtë, nga një problem kronik si sëmundjet e traktit tretës. Disa nga shkaqet e diarresë janë:

  • Infeksionet bakteriale- Disa lloje bakteresh të marra gjatë konsumimit të ujit dhe ushqimeve të kontaminuara, mund të shkaktojnë diarre. Bakteret më të shpeshta janë campylobacter, salmonella, shigella, dhe escherichia coli.
  • Infeksionet virale- Disa viruse mund të shkaktojnë diarre si p.sh: rotavirusi, virusi Norwalk, cytomegalovirusi, virusi herpes simplex, dhe hepatitis viral.
  • Intoleranca nga ushqimet- Disa njerëz nuk mund të tresin disa përbërës të ushqimeve si për shembull laktozën, sheqer që gjendet tek qumështi dhe nënproduktet e tij.
  • Parazitët- Parazitët mund të hyjnë në trup nëpërmjet ushqimeve dhe ujit dhe fiksohen në sistemin tretës. Parazitët që mund shkaktojnë diarre janë: giardia lamblia, entamoeba histolytica, dhe cryptosporidium.
  • Reaksioni ndaj mjekimeve- Si për shembull prej antibiotikëve, ilaçeve kundra hipertensionit, antiacideve që përmbajnë magnezium.
  •  Sëmundje të zorrëve-  Si për shembull sëmundjet inflamatore dhe sëmundja e celiakisë.
  •  Çrregullimet funksionale të zorrës-  Si për shembull sëmundja e zorrës së irritueshme në të cilën zorrët nuk punojnë normalisht.

Shenjat e diarresë

Diarreja mund të shoqërohet me dhimbje abdominale ose të barkut në formë krampesh, fryrje barku dhe gazra, nauze dhe nevojë urgjente për të shkuar në tualet. Në varësi të shkakut personi mund të ketë edhe gjak në feçe.

Diarreja mund të jetë akute ose kronike. Forma akute e cila zgjat më pak se 4 javë zakonisht është e lidhur me infeksionet bakteriale, virale ose parazitare.

Diarreja kronike zgjat më shumë se katër javë dhe është e lidhur me çrregullime funksionale si për shembull sindromi i zorrës së irritueshme dhe sëmundja cilake.

Këshilla për ushqimin

Derisa të kalojë diarreja mundohuni të evitoni qumështin dhe nënproduktet e tij, ushqimet me yndyrë, ushqimet me përmbajtje të lartë fibrash ose ushqimet shumë të ëmbla. Këto ushqime kanë tendencë ta përkeqësojnë diarrenë.

Pasi të përmirësoheni mund të shtoni ushqime të buta në dietën tuaj duke përfshirë banane, oriz, patate të ziera, karrota të ziera dhe pulë të pjekur pa lëkurë dhe pa yndyrë.

Për fëmijët, mjekët pediatër mund të rekomandojnë banane, oriz, mollë të grirë imët dhe bukë të thekur. /Altincekodhima.com /Limit.al