Ballina Aktualitet “Vendoret”, grushte, kërcënime dhe intimidime në Durrës, Policia “mësyn” në qendrat e...

“Vendoret”, grushte, kërcënime dhe intimidime në Durrës, Policia “mësyn” në qendrat e votimit

Në të gjithë vendin po vijon procesi i votimit, për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të bashkisë, e njëkohësisht edhe i këshilltarëve bashkiakë.

Policia e Shtetit në një deklaratë zyrtare bëri të ditur se procesi i votimit po vijon i qetë dhe pa incindente, por tensionet dhe përplasjet nuk kanë munguar në disa qendra votimit në vend.

Konkretisht në Durrës, kanë ndodhur disa incindente, në qendrën e votimit në shkollën ‘Neim Babameto’.

Persona të paautorizuar në qendrën e votimit detyruan efektivët e Policisë të rikthehen në këtë shkollë, ku kryhet procesi i votimit.

Lidhur me situatën, Policia e Durrësit ka dalë me njoftim për incidentet e regjistruara, gjatë procesit të votimit në këtë qytet.

Në njoftimin për media, thuhet se rreth orës 10:30 të mëngjesit, Komisioni i Qendrës së Votimit 1428-2, KZAZ Nr. 24, Durrës, bazuar në urdhrin nr. 62, të datës 03.05.2023, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve,  me vendimin numër 13, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar disa shtetas të paautorizuar që qëndronin në këtë Qendër Votimi dhe rrezikonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e vendimit, kanë shkuar menjëherë në këtë qendër votimi dhe kanë larguar nga ambientet e kësaj qendre, personat e paautorizuar dhe ata që pengonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit.

Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas normalizimit të situatës, punonjësit e Policisë janë larguar nga qendra e votimit.

Ndërkohë, në Komisariatin e Policisë Durrës është paraqitur shtetasi Hekuran Markola i PS, i cili ka deklaruar se gjatë kohës që ka qenë në korridorin e qendrës së votimit 1430-2, Durrës, e kanë goditur me grushte shtetasit Dritan Burgija, Pjeter Pjetri dhe Ndrec Pjetri. Bëhet fjalë për ngjarjen në Spitallë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë njoftuar menjëherë prokurorin e gatshëm, për këtë rast.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen dhe shoqërimin e këtyre 3 shtetasve./Limit.al