Ballina Kryesore Trenat më të pazakontë në botë

Trenat më të pazakontë në botë

Teknologjia hekurudhore është më e gjithanshme nga sa mund të mendohet. Gjatë 200 viteve të fundit, ajo ka evoluar për të pushtuar qytete, male, miniera të thella dhe disa nga relievet më ekstreme të botës. Po rendisim disa nga hekurudhat më të pazakonta që thyejnë rregullat, për të arritur në vendet ku trenat e tjerë të zakonshëm nuk mund të shkojnë:

Wuppertal Schwebebahn, Gjermani

Qyteti gjerman Wuppertal është shtëpia e një prej linjave më të pazakonta në botë. Hekurudha që gjarpëron nëpër qytet, kalon sipër rrugëve e lumenjve, duke i dhënë mundësi pasagjerëve të shijojnë panoramën e vendit.

Qyteti Wuppertal vendosi të vinte në zbatim këtë lloj hekurudhe, ku treni qëndron “kokëposhtë”, për shkak të relievit të komplikuar të vendit. Lugina e gjatë dhe dredha-dredha e lumit që përshkon mes për mes qytetin, e bëri të pamundur ndërtimin e hekurudhave ose tramvajeve tradicionale, ndaj inxhinierët nisën të mendonin për alternativa të tjera. Në vitin 1893, u propozua pikërisht ky sistem unik hekurudhor, që nisi të ndërtohej në 1898, derisa u inaugurua në vitin 1901 nga perandori Wilhelm II, i cili së bashku me gruan e tij Auguste Viktoria, bëri dhe udhëtimin e parë.

Stoosbahn, Zvicër

Rekordin për hekurudhën publike më të pjerrët në botë, e mban Stoosbahn në Zvicër, që u hap në dhjetor 2017 dhe është bërë një atraksion global turistik më vete. Vagonët unikë në formë sferike i lejojnë pasagjerët të udhëtojnë të qetë lart në mal, në një pjerrësi deri në 110%. Stoosbahn është një litar jetësor për fshatin pa makina të Stoos, i cili ndodhet lart në mal. Çdo tren është i pajisur me tre vagonë pasagjerësh, plus një seksion tjetër për mallrat. Çdo vit transportohen deri në 10.000 tonë mallra dhe furnizime thelbësore që ngjiten për në restorante dhe hotele. Mund të transportohen gjithashtu deri në 1500 pasagjerë në orë, një rritje prej 50% në krahasim me teleferikun e dikurshëm që funksiononte në këtë zonë.

Hekurudha Hythe Pier, Angli

Hekurudhat Hythe Pier ishin një atraksion britanik në shekullin e 19-të, një pjesë të së cilës mund ta përjetoni ende sot. Shumica e linjave të kësaj hekurudhe të mundësojnë një shëtitje të gjatë në breg. Në vitin 1881, u ndërtua një kala dhe ndaj një hekurudhë e çuditshme u shtua në vitin 1909. Vagonët fillimisht lëvizeshin në mënyrë mekanike me dorë, por në vitin 1922 një hekurudhë e re elektrike zëvendësoi atë origjinalen. Lokomotivat me pamje të çuditshme vazhdojnë të punojnë, por janë cilësuar si jo të sigurta, ndaj shumë shpejt mund të mbyllen.

Chongqing Monorail, Kinë

Chongqing në Kinë është shtëpia e sistemit më të gjatë dhe një prej më të ngarkuarve në botë, duke transportuar miliona pasagjerë në vit. Të hapura midis 2005 dhe 2016, të dyja linjat e kësaj hekurudhe kanë 70 stacione mbi tokë dhe nëntokë. Shumë i famshëm, është një seksion i Linjës 2 që kalon mes përmes një blloku apartamentesh. Topografia unike e qytetit, midis rrafshnaltave malore dhe luginave të lumenjve i detyroi autoritetet të kërkonin një alternativë ndaj trenave konvencionalë. Aftësia e Monorail për të përballuar ngjitjet e pjerrëta dhe kthesat e ngushta, e bëri atë zgjidhjen ideale të këtij metropoli gjigant.

Ferrobus, Amerika e Jugut

A është tren? Apo është autobus? Është një Ferrobus, një formë unike e transportit të improvizuar që gjendet nëpër rajonet malore të Amerikës së Jugut. Duke kombinuar autobusët e vjetër me rrotat hekurudhore, këto konstruksione janë një mjet shpëtimi për fshatrat e largëta malore, të cilave u mungon aksesi në rrugë. Duke përdorur linja hekurudhore të braktisura, shpesh të ndërtuara në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, rrugët e Ferrobusit mund të gjenden në Kili, Bolivi dhe Kolumbi, duke u ngjitur lart në Ande.

Pokémon, Japoni

Një tren vendas i zakonshëm japonez është zbukuruar që t’i ngjajë personazhit më të famshëm të filmave vizatimorë: Pikachu. Ngjyra e verdhë e ndezur dominon brenda dhe jashtë, ndërsa motivet e Pikachu-s mbulojnë gjithçka nga dyshemeja te perdet. Një nga vagonët ka ndenjëse, ndërsa vagoni i dytë është shndërruar si një sallë lojërash përrallore. Gjatë udhëtimit dyorësh nga Ichinoseki në Kesennuma në rajonin Tõhoku, fëmijët mund të luajnë dhe të shoqërohen me Pikachu-n gjigant prej pelushi.

Nëntoka e vogël, Budapest

Cili qytet është shtëpia e hekurudhës më të vjetër nëntokësore të Evropës? Paris? Berlini? Vjena? Në fakt, është kryeqyteti hungarez Budapest, ku linja M1 funksionon që nga maji 1896. Në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, Hungaria, atëherë pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, ishte një pioniere e teknologjisë së re hekurudhore.

Treni i varur, Kinë

Gjatë dy dekadave të fundit, industria hekurudhore e Kinës është bërë më e madhja dhe më e larmishmja në botë. Por diversiteti i këtij kombi të madh kërkon zgjidhje të zgjuara për t’i shërbyer zonave që trenat tradicionalë nuk mund të arrijnë. Një shembull unik është hekurudha e varur, në provincën Sichuan. Projekti Hekurudhor Dayi lidh katër stacione në pika të frekuentuara turistike në qytetin e Chengdu.

Autobus hekurudhor DMV, Japoni

DMV Road-Rail në Japoni nisi punën në vitin 2021. Me një kapacitet prej 23 personash, duke përfshirë pasagjerët dhe ekuipazhin, DMV është një autobus i pajisur me një grup rrotash hekurudhore. Më i lehtë se një tren tradicional, ai konsumon më pak karburant dhe është më i lirë për t’u mirëmbajtur.

I njohur si “automjeti i parë operativ në botë me modalitet të dyfishtë”. Qeveria shpreson që autobusët DMV të bëhen një tërheqje turistike më vete. Gjithashtu besojnë se këto mjete mund të jenë të dobishme për të arritur në komunitete të izoluara në raste fatkeqësish natyrore si tërmetet, të cilat mund të bllokojnë pjesë rrugësh ose linjash hekurudhore.

Hekurudha Scenic Katoomba, Australi

Jo shumë larg qytetit të mrekullueshëm të Sidneit ndodhet një linjë hekurudhore unike. E vendosur në zemër të Maleve Blu, Hekurudha Scenic Katoomba është një tjetër pretendente për titullin e hekurudhës më të pjerrët në botë. Por, ndryshe nga Stoosbahn i Zvicrës, kjo hekurudhë kalon poshtë shkëmbinjve ranorë, formacioneve epike dhe tuneleve të vendosura mbi një peizazh mahnitës të pyjeve tropikale. /A2CNN