Ballina Kryesore Inter me sytë nga Stambolli, akti i parë ngjyroset zikaltër, Dzeko e...

Inter me sytë nga Stambolli, akti i parë ngjyroset zikaltër, Dzeko e Mkhitaryan mposhtin Milanin

Derbi i Milanos në Champions League foli për Interin kësaj radhe.

Zikaltërit triumfuan me rezultatin 0-2, në sfidën e parë gjysmë-finale, ndaj 7 herë kampionëve të Europës dhe hedhin sytë nga Stambolli, atje ku do të luhet finalja e madhe më 10 qershor. ‘Euroderbi’ mori nuancat zikaltër që në 11 minutat e para të takimit.

Edin Dzeko ishte ai që zhbllokoi rezultatin, që pas vetëm 7 minutash lojë.

Sulmuesi boshnjak shfrytëzoi mjaft mirë një kros të Calhanoglu nga një goditje këndi dhe çoi topin në fundin e rrjetës, duke mposhtur Maignan.

Mkhitaryan çoi në delir tifozët e Interit, kur pas vetëm 3 minutash realizoi edhe të dytin.

Armeni përfitoi nga pakujdesia e mbrojtjes së Milanit dhe i gjendur i vetëm përpara portës, çon topin në fundin e rrjetës.

Skuadra e Inzaghit mund ta ‘kishte’ vrarë sfidën në minutën e 16-të, kur goditja e Calhanoglu u stampua në shtyllë.

Kuqezinjtë mundohen të mbledhin forcat dhe të reagojnë në pjesën e dytë. Brahim Diaz nuk shënjestron siç duhet kuadratin e Onanas, në minutën e 49-të.

Skuadra e Piolit shpërdoroi një tjetër rast të artë me Junior Messias, i cili nuk gjeti kordinatat e duhura.

I pafat Milani në minutën e 63-të. Goditja e Sandro Tonalit përfundon në shtyllë dhe më pas përfundon jashtë.

Minutat e mbetura të lojës nuk prodhuan më rezultat dhe ndeshja mbyllet me shifrat 0-2 për Inter./Limit.al