Ballina Kryesore Epilepsia- Cilat janë shkaqet, simptomat dhe si ta trajtojmë

Epilepsia- Cilat janë shkaqet, simptomat dhe si ta trajtojmë

Epilepsia përfaqëson sëmundjen kronike më të shpeshtë të sistemit nervor qëndror.

Rreth 5% e njerëzve shfaqin shpesh, në mënyrë kalimtare, kriza epileptike gjatë jetës së tyre. Në Evropë, sipas raportimeve të OBSH -s (Organizatës Botërore të Shëndetsisë), epilepsia aktive zhvillohet tek 0.6% e popullatës. Kjo sëmundje shfaqet më shpesh tek fëmijët, gjatë viteve të para të jetës, dhe tek personat mbi 60 vjeç. Epilepsia nuk është sëmundje e trashëgueshme, por egziston një predispozitë gjenetike tek rreth 10% e personave të prekur prej saj.

Epilepsia karakterizohet nga përsëritja spontane e krizave epileptike. Një krizë epileptike përfaqëson manifestimin klinik të aktivitetit të rritur të një pjese të trurit ose të të gjithë trurit. Gjithsesi, jo çdo dridhje muskulare e pakontrolluar i korrespondon domosdoshmërisht një krize epileptike.

Shkaqet

Njihen dy sindroma të mëdha të epilepsisë:

  • Epilepsia fokale, në të cilën rritja e aktivitetit të qelizave të trurit është e kufizuar në një zonë të caktuar të tij. Kjo ndodh shpesh në rastet e një tumori të trurit ose në prani të një cikatriceje. Gjithsesi, kjo rritje e aktivitetit mund të shtrihet më pas në të gjithë trurin.
  • Epilepsia e përgjithshme, ku rritja e aktivitetit përfshin të gjithë trurin, pa një pikë fillestare të dukshme.

Krizat epileptike pa shkaqe të dukshme janë emërtuar epilepsi idiopatike. Këto kriza nuk janë të trashëgueshme.

Shfaqja e një krize epileptike shkaktohet, si nga shkarkimi konvulsiv i grupeve të neuroneve (qelizave) të trurit, ashtu edhe nga mungesa e kontrollit frenues mbi qelizat nervore tepër aktive.

Faktorët e mëposhtëm mund të favorizojnë shfaqjen e krizave të epilepsisë:

  • Dëmtimet e trurit ose keqformimet e lindura të tij
  • Traumat e trurit, gjatë aksidenteve ose goditjeve në kokë.
  • Tumoret në kokë
  • Inflamacionet e trurit ose inflamacionet e cipave të trurit
  • Sëmundjet e sistemit endokrin (ulja e funksionit të tiroides, diabeti i sheqerit)
  • Intoksikimi nga alkooli, drogat, lëndët kimike dhe medikamentet
  • Çrregullimet e qarkullimit të gjakut, tromboza e venave të trurit.

Faktorët e mëposhtëm mund të shpërthejnë një krizë epileptike:

  • Reaksionet e shkëputjes nga alkooli, drogat ose medikamentet.
  • Stresi psiqik
  • Frymëmarrja e tepruar (hiperventilimi)
  • Ulja e nivelit të sheqerit në gjak
  • Temperatura e lartë tek fëmijët nga 6 muaj-4 vjeç (konvulsionet nga temperatura e lartë).

Simptomat

Simptomat e epilepsisë janë të ndryshme, në varësi të formës së saj, fokale apo e përgjithshme.

Epilepsia fokale karakterizohet nga:

  • Krizat e thjeshta, që nuk shoqërohen me humbje të vetëdijes
  • Krizat komplekse, që shoqërohen me humbje të vetëdijes
  • Krizat epileptike fokale, me tendencë për t’u përgjithësuar

Epilepsia e përgjithshme karakterizohet nga sindromat e mëposhtme:

  • Mungesa (Petit Mal) – i korrespondon një shkëputjeje të vogël të vetëdijes (mungesë e saj), që shoqërohet me ndërprerje të plotë të çdo aktiviteti për rreth 5-20 sekonda. Menjëherë pas kësaj, pacienti e vazhdon aktivitetin e tij në pikën që e kishte ndërprerë, sikur të mos kishte kaluar asgjë. Ndonjëherë, kriza shoqërohet me fenomene klonike (si psh. dridhje të qepallave) ose të një aktiviteti automatik si përtypja, gëlltitja ose lëpirja e buzëve. Këto episode të mungesës mund të shfaqen deri në 100 herë në ditë. Kjo sindromë është e shpeshtë tek fëmijët dhe e rrallë tek të rriturit.
  • Krizat mioklonike – përfaqësojnë dridhje të forta muskulare, tepër të shkurtra, të dyanshme dhe të njëkohëshme.
  • Krizat klonike – përfaqësojnë dridhje muskulare ritmike.
  • Krizat tonike – përfaqësojnë një kontraktim (tkurrje) muskular të përgjithshem.
  • Krizat atonike – karakterizohen nga një humbje e papritur e tonusit muskular, e shoqëruar nga një humbje e shkurtër e vetëdijes.

Simptomat e epilepsisë janë:

  • Humbja e vetëdijes gjatë çdo krize epileptike
  • Çrregullime të vetëdijes përpara shfaqjes së krizës (pacienti nuk e dallon afrimin e krizës).
  • Dridhje muskulare, praktikisht gjithmonë e dyanshme.

Trajtimi

Objektivat e trajtimit të epilepsisë janë:

  • Parandalimi i shfaqjes së dëmtimeve të parikthyeshme
  • Menaxhimi i ndikimit të krizave në jetën e përditshme të pacientit
  • Ruajtja e aktivitetit profesional, brenda mundësive të pacientit
  • Evitimi i aksidenteve dhe traumave
  • Sigurimi i pacientit
  • Evitimi i izolimit shoqëror të tij.

Masat që duhet të merren në rastin kur kriza epileptike shfaqet në rrugë:

Fillimisht, pacienti duhet të vendoset në një vend të sigurt, duke e larguar nga çdo zonë e rrezikshme, siç është rruga.

Ai duhet të vendoset në pozicion anësor, por të mos shtrëngohet shumë fort, pasi mund të dëmtohet më shumë.

Në rastet me epilepsi të njohur, të përdoren menjëherë medikamentet e urgjencës (si psh. supostet e valiumit).

Të njoftohet urgjenca mjekësore

Të mos lihet viktima vetëm. /Medinfo.al /Limit.al