Ballina Aktualitet Valbonë, ranë në një greminë të thepisur, humbin jetën dy turiste të...

Valbonë, ranë në një greminë të thepisur, humbin jetën dy turiste të huaja, Policia gjen trupat e pajetë

Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e martë në zonën e Valbonës. Dy turiste të huaja, të cilat po eksploronin zonën ranë në një greminë, për shkak të terrenit të vështirë dhe për pasojë ndërruan jetë.

Dy turistet që kanë humbur jetën, janë shtetaset Baets Myrthe, 25 vjeçe nga Belgjika dhe Joanna Blocaille nga Franca.

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën Qafë-Valbonë, ndërkohë që mësohet se ato po lëviznin në aksin Valbonë-Theth, pa asnjë shoqërues që e njeh zonën dhe si pasojë e terrenit të ashpër dhe kushteve jo të favorshme atmosferike, me mjegull e borë, kanë rrëshqitur dhe kanë përfunduar në greminë.

Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shkuan në vendngjarje shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.

 

Njoftimi i Policisë:

 

Valbonë, Tropojë

Pas njoftimit se dy turiste të huaja, duke eksploruar zonën e Valbonës, ishin rrëzuar për shkak të terrenit të thepisur dhe kishin rënë në greminë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, ato të Drejtorisë Vendore dhe të Policisë Kufitare, së bashku me ekipin mjekësor, janë nisur menjëherë në drejtim të vendit ku kishin rënë dy turistet.  

Pavarësisht territorit shumë të vështirë dhe motit të keq me mjegull dhe me borë, shërbimet e Policisë, pas shumë kërkimesh, kanë bërë të mundur që në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”, të gjenin trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge B. M. dhe shtetases franceze J. B.   

Në ndihmë të shërbimeve policore është nisur menjëherë skuadra alpine e FNSh Shkodër, pasi për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe motit të keq, punonjësit e Policisë që ndodhen në vendngjarje, e kanë të pamundur nxjerrjen e trupave nga humnera. Po për shkak të motit të keq, edhe helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur të pajeta turistet.

Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes. 

Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve./Limit.al