SERBI– Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar këtë të martë pas artikullit të New York Times, i cili e shfaqte si një president me lidhje me bandat e krimit të organizuar me të cilat erdhi dhe qëndron në pushtet. Përgjigjen NYT ia dha në një intervistë për median proveqeveritare ”Happy”. Ai tha se koha e publikimit të artikullit nuk ishte zgjedhur rastësisht.
Aleksandër Vuçiç: Teksti i pakuptimtë në Neë York Times është porositur para pesë muajsh dhe e kanë hartuar njerëzit këtu (në Serbi). Nuk e ka shkruar atë njëfarë amerikani, gazetar i lirë, që e kanë gjetur diku. Në tekst janë të gjitha gënjeshtrat që i kanë publikuar këtu për ta fshehur bashkëpunimin e tyre me klanin e Belivukut. E kam kuptuar kohën kur është publikuar teksti, dhe atë pikërisht në kohën e bisedimeve (me Kosovën) në Bruksel, për të dërguar mesazhin e qartë, sepse unë e di si punojnë ata, CIA po bëhet gati, CIA të sheh dhe nëse nuk je i mirë dhe i dëgjueshëm, ky është vetëm fillimi. Përgjigjja ime është se kam kuptuar mesazhin. Nuk jam frikësuar, nuk jam i magjepsur me marrëzitë që i keni shkruar. Dhe fare nuk ju kam frikë. Do të luftoj për vendin tim. Vazhdoni të gënjeni me gënjeshtarët vendas, me bashkëpunëtorët e kriminelëve. Ishte aty edhe Boris Tadiç (ish presidenti serb) turp të ketë.
Ndërkohë partitë opozitare dhe disa grupe të të drejtave të njeriut akuzojnë presidentin Aleksandër Vuçiç dhe Partinë e tij Përparimtare Serbe në pushtet për autokraci, shtypje të lirisë së medias, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Vuçiç nga ana tjetër i mohon akuzat e tilla ndërsa vendi ecën në vijën e ngushtë ndërmjet aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve të ngushta ne Rusinë.
Kujtojmë që Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Moskës për pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë./Limit.al