Ballina Kryesore Intoleranca ndaj laktozës

Intoleranca ndaj laktozës

Intoleranca ndaj laktozës është një çrregullim i tretjes, që vjen si rezultat i mostretjes së laktozës nga sistemi i tretjes.

Intoleranca e laktozës nuk është një alergji ushqimore. Përveç kësaj, ajo nuk duhet të ngatërrohet me alergjinë nga qumështi i lopës. Në rast të intolerancës ndaj laktozës, laktoza nuk tretet mjaftueshëm për shkak të mungesës së një enzime tretëse në zorrën e hollë. Kjo enzimë kryen funksionin e zbërthimit të laktozës, e cila është kryesisht e pranishme në qumështin e lopës.

Për arsye teknologjike, përveç qumështit, industria ushqimore prodhon edhe ushqime të tjera që gjithashtu përmbajnë laktozë, si salçiçet. Në gjendje të patretur, laktoza arrin në zorrën e trashë ku shkakton fryrje, diarre dhe dhimbje stomaku.

Pacientët me intolerancë ndaj laktozës shpesh kanë simptoma të tjera, si alergjitë ushqimore ose sindromi i zorrës së irrituar. Për shkak të këtyre problemeve të lidhura, shpesh është e vështirë të identifikohen shkaqet e sakta të simptomave.

-Shkaqet

Në njerëz të shëndetshëm, enzima laktazë ndan laktozën në dy pjesë, që janë: glukoza dhe galaktoza. Në këtë rast, laktoza mund të asimilohet plotësisht nga zorra e hollë.

Në njerëzit me intolerancë të lindur ndaj laktozës, aktiviteti i enzimës që ndihmon tretjen e ushqimit ulet gjithnjë e më shumë gjatë rrjedhës së jetës. Kjo është arsyeja pse simptomat zakonisht shfaqen vetëm në moshë madhore, pasi shumica e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël ende e tretin laktozën.

Intoleranca e fituar ndaj laktozës shpesh është dytësore, pra pasojë e sëmundjeve të tjera, të tilla si sindromi i zorrës së irrituar, sëmundja Crohn ose sëmundja celiake. Sëmundjet e zorrës së hollë ose ndërhyrjet e mëdha kirurgjikale në zorrën e hollë mund të çojnë gjithashtu në intolerancën e laktozës.

Mund të ndodhë gjithashtu edhe intolerancë kalimtare ndaj laktozës si pasojë e infeksioneve.

-Simptomat

Në rast të intolerancës ndaj laktozës, mund të shfaqen simptoma të ndryshme, shpesh jo specifike:

  • Gurgullima në stomak
  • Fryrje e barkut dhe ngopje e shpejtë
  • Diarre, e cila bëhet kronike
  • Dhimbje barku
  • Tek foshnjat, shtim jo i rregullt në peshë.

Përveç këtyre çrregullimeve të tretjes, shumë njerëz ankohen për lodhje, marramendje, irritim të brendshëm, probleme të lëkurës, depresion dhe përqëndrim të dobët.

-Trajtimi

Intoleranca e laktozës nuk mund të shërohet. Megjithatë, mund të lehtësohen simptomat. Mjeti më i mirë është heqja dorë sa më shumë që të jetë e mundur nga produktet e qumështit të lopës.

Masat e përgjithshme

  • Mos konsumoni produkte të përftuara nga qumështi i lopës. Në disa njerëz, një pikë e vetme e qumështit në kafe shkakton simptomat, ndërsa në shumë të tjerë simptomat shfaqen vetëm në rast të konsumimit të sasive të konsiderueshme.
  • Kosi është përgjithësisht më mirë i toleruar nga të rriturit, sepse ky produkt tashmë përmban enzimën laktazë.
  • Foshnjat duhet të konsumojnë qumësht të posaçëm për to.
  • Ndjekja e një regjimi ushqimor pa laktozë, nën këshillimin e dietologut.

Cilat ushqime përmbajnë laktozë?

  • Qumështi i lopës dhe produktet e prejardhura prej tij (gjalpi, djathi, qumështi pluhur, kosi).
  • Ëmbëlsirat 
  • Çokollata
  • Ushqime të tjera të proçesuara (përbërësit duhet të specifikohen).
  • Shumë medikamente, madje edhe tabletat homeopatike përmbajnë laktozë.
  • Ushqimet e përpunuara (p.sh. pica). /Medinfo.al /Limit.al