Ballina Aktualitet U shisnin drogë turistëve në qytetin e Himarës, vihen në prangat e...

U shisnin drogë turistëve në qytetin e Himarës, vihen në prangat e Policisë dy persona

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Himarës, pasi u kapën duke shitur dhe shpërndarë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, me doza.

Në prangat e uniformave blu kanë rënë shtetasit Oltion Bodinaku, 33 vjeç dhe Lulo Hasani, 32 vjeç të dy me banim në Tiranë.

Dy të rinjtë e arrestuar i shisnin dozat e kanabisit në qytetit e Himarës, kryesisht te turistët. Lëndën narkotike, Bodinaku dhe Hasani i shpërndanin kryesisht nëpër lokalet e natës.

Efektivët e Policisë gjetën dhe sekuestruan rreth 1,500 doza të lëndës narkotike kanabis, gati për shitje.

Njoftimi i Policisë:

Himarë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Parts 2”, sekuestrohen rreth 1500 doza të lëndës narkotike kanabis, gati për shitje.

Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas që shpërndanin doza të lëndës narkotike kanabis, në qytetin e Himarës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 2”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: 

-O. B., 33 vjeç dhe L. H., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në camperin që këta shtetas kishin në përdorim, shërbimet e Policisë gjetën rreth 1500 doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 aparat celular.  

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e dozave të kanabisit, kryesisht për turistët, në lokalet e natës, në qytetin e Himarës.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Limit.al