Ballina Kryesore Sëmundja e Scheuermann

Sëmundja e Scheuermann

Sëmundja Scheuermann është një hiperkifozë (harkim i theksuar nga jashtë) progresive në pjesën e kraharorit të shtyllës kurrizore, e lidhur me rritjen.

Gjatë pubertetit, shpesh manifestohen çrregullime të rritjes në nivelin e trupave të vertebrave, të shoqëruara me ngushtim të zonës së diskut ndërmjet vertebrave, ku vertebrat bëhen kuneiforme (në formën e pykës) dhe zhvillohet harkimi i theksuar nga jashtë (kifoza) i tyre. Për ta kompensuar këtë, shpesh formohet një harkim i theksuar nga brenda (hiperlordozë) në pjesën e belit (lumbare) të shtyllës kurrizore. Sëmundja Scheuermann është një nga sëmundjet kryesore të vertebrave. Ajo është më e shpeshtë tek meshkujt se tek femrat.

Zhvillimi i sëmundjes ndalon në fund të rritjes, por dëmtimet e shkaktuara në nivelin e kërceve dhe vertebrave mbeten dhe janë të parikthyeshme. Pozicionet (qëndrimet) e papërshtatshme, por të detyruara, dhe hapësira e zvogëluar ndërmjet trupave të vertebrave shkaktojnë dhimbje dhe probleme të mëdha në moshën e rritur.

Shkaqet

Sëmundja Scheuermann ka shkaqe të ndryshme, që ndikojnë dhe përforcojnë njëri-tjetrin në mënyrë reciproke. Ata grupohen në faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, ku më kryesorët janë:

  • Çrregullimet e rritjes nga mosha 11-17 vjeç: gjatë kësaj periudhe, shtylla kurrizore është veçanërisht e prirur për çrregullime të ndryshme të zhvillimit. Trupat e vertebrave rriten më tepër në pjesën e pasme se në atë të përparme, duke e theksuar kështu harkimin nga jashtë (gungëzimin) e pjesës së kraharorit të shtyllës kurrizore. Përveç kësaj, mbetjet e diskut ndërvertebror depozitohen në trupat ndërvetrtebrore, duke zvogëluar në këtë mënyrë hapësirën e e diskut. Për pasojë, mbingarkesat e drejta dhe të vogla në nivelin e lidhjeve ndërvertebrore shkaktojnë dhimbje në nivelin e shpinës.
  • Ngarkesa e tepruar, në rastet e qëndrimit në pozicionin e përkulur.

Simptomat

Në fillim, sëmundja Scheuermann nuk është e dhimbshme. Ndonjëherë, ajo manifestohet me kufizime të lëvizshmërisë dhe një lodhje të shpejtë fizike

Në vazhdim, zhvillohet një lakim i theksuar në nivelin e pjesës së kraharorit të shtyllës kurrizore. Për ta kompensuar këtë, pjesa e belit (lumbare) e shtyllës kurrizore përkulet, pra lakohet nga brenda. Në këtë stad, dhimbjet janë më të shpeshta dhe rezistenca ulet gjithnjë e më shumë. Shpesh, muskulatura e shpinës është e tendosur.

Stadi i fundit karakterizohet nga deformimi i shtyllës kurrizore dhe pozicioni i detyruar i përkulur (i kërrusur). Shfaqen dhimbje të forta. Gjithsesi, harkimet e dukshme të shtyllës kurrizore në radiografi nuk janë domosdoshmërisht të shoqëruara me dhimbje ose me kufizime të shprehura të lëvizshmërisë. Madje, harkimet më të lehta dhe pozicionet më pak problematike shkaktojnë ndonjëherë dhimbje më të forta.

Trajtimi

Qëlllimi i trajtimit në sëmundjen Scheuermann është të lehtësojë shtyllën kurrizore dhe për pasojë, të lehtësojë dhimbjet dhe të përmirësojë pozicionin e trupit. Për këtë rekomandohen:

  • Fizioterapia
  • Gjimnastika sportive
  • Trajtimi fizik me ultratinguj, me dritë infra të kuqe dhe elektroterapia.
  • Masazhet
  • Ergoterapia (kryesisht, përshtatja me mjedisin e punës)
  • Evitimi i mbipeshës trupore, nëpërmjet këshillimit me një dietolog. /Medinfo.al /Limit.al