KOSOVË– Bashkimi Evropian shprehu gjatë javës shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit në zonë të cilat u bojkotuan nga serbët lokal.
Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian këto zgjedhje, ndonëse në pajtim me kuadrin ligjor e kushtetues të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate. Ata u bënë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe ta diskutojnë këtë çështje në kuadër të dialogut ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë më vonë gjatë këtij muaji.
Politologu serb nga Mitrovica e Veriut, Ognjen Gogiç, thotë për Zërin e Amerikës se nuk është zgjidhje mbajtja e zgjedhjeve të reja pa një marrëveshje politike.
“Unë mendoj se gabimi është bërë në Ohër sepse mendoj se në Ohër ka qenë dashur kur është arritur pajtimi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, pika e parë ka qenë dashur të jetë mbajtja e zgjedhjeve, kthimi i serbëve në institucionet në veri dhe pastaj të ndodh formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk e di pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë dhe në një farë mënyre edhe në takimin e fundit (Josef) Borrell e konfirmoi se situata në veri nuk është e qëndrueshme dhe se këto zgjedhje nuk e zgjidhin situatën dhe nuk e nxjerrin nga kriza”, tha zoti Gogiç.
Ai thotë se tash për tash nuk sheh rrezik nga përshkallëzimi i situatës pasi sipas tij edhe Serbia edhe Kosova dëshirojnë të tregohen si palë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes.
Zoti Gogiç thotë se janë disa faktorë që do të mund të ndikonin në nxitjen e incidenteve dhe bllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës, siç janë grupet që nuk janë nën kontroll as të Beogradit e as Prishtinës, hapja e urës së Ibrit dhe çështja e targave.
Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike thotë se zgjidhja e situatës aktuale në veriun e Kosovës është më e ndërlikuar për shkak se tashmë një proces zgjedhor është përfunduar.
“Nëse kthehet procesi në zero duhet të ketë një argumentim të mirë sepse prapë po shkohet në shkelje të procedurave, të ligjeve dhe po krijohen precedent të rrezikshëm dhe nëse rastësisht vendoset që këto zgjedhje të anulohen apo të kthehen në pikën zero duhet të ketë garanci për pjesëmarrje të partive politike serbe, të qytetarëve serb në zgjedhje dhe të shkojë procesi në bazë të rregullave që janë të parashikuara”, tha zoti Fetahu.
Udhëheqësit e Serbisë dhe të serbëve lokal në veriun e Kosovës thonë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Politologu, Ognjen Gogiç, thotë se është gabim një kushtëzim i tillë dhe se me këtë Beogradi dëshiron që ta zgjasë dialogun sa më shumë.
“Prishtina nuk e do Asociacionin që do të kishte kompetenca ekzekutive që në fakt do të rivendoste rendin kushtetues të Kosovës dhe në anën tjetër unë mendoj që as Beogradi nuk e dëshiron Asociacionin dhe se Asociacioni së pari është taktikë, nuk është qëllim por taktikë që përdoret në bisedime dhe Beogradi në fakt Asociacionin e shfrytëzon si një mënyrë për të penguar negociatat. Pra Prishtina nuk e dëshiron Asociacionin e komunave serbe, jo një Asociacion ambicioz dhe më pas Beogradi me qëllim këmbëngul për të dhe ka rritur shtuar trysninë ndaj Prishtinës duke kërkuar një Asociacion të aillë që është i papranueshëm për Prishtinën”, tha zoti Gogiç.
Zoti Fetahu thotë ndërkaq se nuk ekzistojnë kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në këtë kohë duke pasur parasysh qëndrimet e kundërta të të dyja palëve.
“Besoj që do të kemi një involvim direkt dhe substancial të bashkësisë ndërkombëtare dhe do të shikohet për një modul apo zgjidhje të tretë të një draft statuti që do të përmbajë elementet e të gjitha palëve nga pak, apo një propozim i ri mund të vijë nga Bashkimi Evropian, gjë që nuk është neglizhuar në të kaluarën as nga pala amerikane dhe as evropiane, kur palët nuk arrijnë një dakordim është pala e tretë ndërmjetësuese të ofrojë një opsion”, tha zoti Fetahu.
Zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin vazhdon të mbetët sfida kryesore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi të martën projekt statutin e prezantuar nga ekipi menaxhues të cilin e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se qartazi Prishtina nuk dëshiron të përmbushë detyrimin për themelimin e Asociacionit./VOA-Limit.al