Teuta shokon Tiranën, duke i mposhtur me rezultatin 2-1, në një sfidë që u ndez vetëm në pjesën e dytë të saj. Takimi i luajtur në ‘Niko Dovana’ shfaqi dy tablo të ndryshme, me pjesën e parë të lojës që u mbyll pa gola dhe me pak raste për shënim.
Florent Hasani krijoi rrezik në portën durrsake, kur tentativa e tij në minutën e 19-të shkoi shumë afër shtyllës së djathtë pingule, të mbrojtur nga Qirko.
Pjesa e parë mbyllet me rrjetat e paprekura.
Teuta e nis vrullshëm 45-minutëshin e dytë, duke dhënë sinjalin e parë në minutën e 51-të. Beqja harkon nga e djathta, me topin në zonë që merr një trajektore të çuditshme e niset drejt portës, duke detyruar Likën ta kalojë mbi traversë.
Menjëherë pas këtij rasti, Tirana gjeti golin e avantazhit.
Me një goditje perfekte në cepin e majtë të portës durrsake, Rimal Haxhiu kalon në avantazh bardheblutë.
Avantazhi i skuadrës së Orges Shehit zgjati vetëm 10 minuta.
Një aksion fantastik i bregdetarëve finalizohet me golin e Emiliano Vilës, në minutën e 63-të.
Sërish me një sulm të shpejtë të besuarit e Edi Martinin ndëshkuan sërish Tiranën. Kësaj radhe autor i golit është Lorenco Vila, i cili në minutën e 71-të çoi topin në fundin e rrjetës, pas asistit të Arbër Çyrbjes.
Ndeshja mbyllet 2-1 në favor të Teutës, që marrin kështu një fitore mjaft të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Një humbje që dhemb për Tiranën, që tashmë diferenca me Partizanin ulet në vetëm 2 pikë.
Partizani trumfoi me përmbysje ndaj Kukësit me rezultatin 3-1, në impiantin ‘Arena e Demave’, në kryeqytet. ‘Të kuqtë’ ja dolën përballë verilindorëve, në ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të të Kategorisë Superiore. Ndeshja nuk nisi mirë për Partizanin, që e panë veten në disavantazh, pas vetëm 10 minutash lojë. Gjelbrim Taipi nuk gaboi nga 11 metra larg, duke mposhtur Rexhepin nga pika e bardhë e penalltisë.
Partizani pretendon për penallti në minutën e 24-t. Gjyqtari Juxhin Xhaja shkon për të parë pamjet në VAR dhe akordon një penallti për ‘demat e kuq’.
11-metërshin e merr përsipër Da Silva, që shënon dhe vendos baraspeshën.
Skuadra e Colellas shfrytëzoi momentin e mirë që po kalonin në fushë dhe pas vetëm 3 minutash gjetën edhe golin e përmbysjes me Atanaskoskin.
Pjesa e parë përfundoi 2-1 për ekipin kryeqytetas.
Pas 1 ore lojë, ‘të kuqtë’ vulosën triumfin. Sërish Da Silva shënon në këtë përballje, duke realizuar dopietë. Minutat e mbetura të lojës nuk krijuan më raste të rrezikshme dhe ndeshja përfundon 3-1.
Partizani me këtë tripikësh shkon në kuotën e 57 pikëve, 2 më pak se Tirana kryesuese, ndërsa skuadra e Rrahman Hallaçit renditet në zonën play-out me 37 pikë./Limit.al