Dua Lipa është sërish kryefjala e medias rozë. Pas shkëlqimit në Met Gala, artistja me origjinë nga Kosova ka marrë vëmendjen me bashkëpunimin e saj të ri me shtëpinë e modës Versace.
Ka qenë vetë Donatella Versace që ka ndarë një postim ku ka shpjeguar se së bashku me këngëtaren kanë krijuar një koleksion të modës së lartë.
“Lajmi doli! Jemi të emocionuara t’ju lajmërojmë për koleksionin e Versace, ‘La Vacanza’, të cilin e kemi dizenjuar së bashku! Koleksioni do të shfaqet të martën, më 23 Maj në Kanë, Francë. Mezi presim t’ju tregojmë se çfarë kemi krijuar!”
Dua ka ripostuar foton duke u shprehur se “ka qenë sekreti më i vështirë për t’u ruajtur”.
Versace është një prej markave që ka bashkëpunuar disa herë me Dua Lipën në daljet e saj në tapetin e kuq si dhe ka qenë një prej yjeve që sfiluan në Javën e Modës në Milano dy vjet më parë.
Përveç kësaj shtëpie prestigjioze, Dua Lipa ka bashkëpunuar edhe me Yves Saint Laurent ku është imazhi i parfumit të tyre, “Libre”./tvklan.al