Fati edhe njëherë tregohet mizor me Marash Kumbullën. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare pësoi një dëmtim të rëndë në sfidën Roma-Milan, duke u detyruar të lërë fushën e lojës që në minutën e 15-të. 23-vjeçari teksa po duelonte me sulmuesin e kuqezinjve Olivier Giroud, u përplas me francezin dhe kjo gjë rezultoi fatale për djaloshin shqiptar. Në fillim, dukej se ishte vetëm një mavijosje në kofshë pak sipër gjurit, por sipas medieve italiane, qendërmbrojtësi është diagnostikuar me një këputje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë, në gjurin e tij të djathtë.
Një dëmtim i tillë konsiderohet si më i rëndi për një futbollist, teksa koha e zakonshme e rikuperimit është rreth 6 muaj pas operacionit.
Kjo do të thotë se sezoni praktikisht ka përfunduar për mbrojtësin kuqezi.
Ekzaminimet në ditët në vijim do të përcaktojnë edhe procedurën që do të ndiqet deri në riaftësimin e plotë të Kumbullës.
Një lajm i keq edhe për kombëtaren shqiptare, pasi trajneri Silvinjo nuk do të ketë në dispozicion një pikë të fortë në mbrojtje./Limit.al