Ballina ED/OP T’i japim një shans Belind Këlliçit

T’i japim një shans Belind Këlliçit

Nga Agim Nesho

Nuk është një thirrje politike për të përkrahur një individ të rrjeshtuar në parti politike. Është një thirrje qytetare për të filluar ndryshimin nga qyteti që duam dhe ku jetojmë.
E kam takuar Belind Këllicin dhe kam përjetuar kënaqësinë e një takimi me një person që ka individualitetin e tij, thjeshtësinë e komunikimit, vetëbesimin por edhe këmbënguljen për të ndryshuar gjërat. Në thjeshtësinë e tij ai reflekton zgjuarsi, maturinë për të thithur eksperiencën e të tjerëve, ciltërsinë natyrale për të mos e lejuar mashtrimin, falsitetin apo të dalë jashtë vetvetes. Duket si një nga ne, por ka shumë cilësi që ne të gjithë kërkojmë ti kemi në veten tonë. Një i ri i edukuar dhe mbajtës i medaljes së artë, aktivist politik, deputet që futet në një garë politike të vështirë për të provuar veten.
Kur po zgjidheshin kandidaturat për Tiranën, unë dhe miqtë e mi mendonim se një figurë e pastër dhe intelektuale si Fatos Lubonja, Armand Shkullaku, apo intelektualë të tjerë do ta bënin garën më të lehtë dhe do të përkraheshin nga zona gri, që nuk është e implikuar në politikë. Belindi ishte në PD, ndoshta edhe më pak i dallueshëm nga statura e shumë politikanëve të rinj, si Bylykbashi, Bumci, Strazimiri, Alizoti, Ristani, Salianji, Balliu, etj, të cilët kishin krijuar një personalitet brenda partisë.
Por Belindi kishte betejat e tij brenda Partisë, që tregonte forcën e karakterit, vendosmërinë dhe mos thyerjen ndaj pengesave. Një zgjidhje e përshtatshme për të gjithë për të kandiduar për Tiranën: një i ri karizmatik dhe i pakorruptuar, i pakomprementuar në jetën politike dhe i përgjegjshëm për të ndryshuar vendin, më shumë qytetar se militant, me integritet dhe jo servil, i mencur dhe jo sipërfaqësor, i sinqertë dhe jo xhepist.
Belindi po garon në një garë të pabarabartë, kur shteti është bërë njësh me mafian, dhe krimi i organizuar bashkëpunon me politikën, kur pushtetarët e të gjitha niveleve janë pasuruar aq shumë sa nuk ndahen nga pushteti, kur zgjedhjet manipulohen dhe vidhen, kur kodi zgjedhor konsiderohet kinezëri dhe partisë më të madhe të opozitës i janë vjedhur simbolet, fondet dhe pengohet të marrë pjesë në zgjedhje. Belindi në këto zgjedhje përfaqëson qytetarët për të sjellë ndryshimin dhe vetëm prej tyre pret përkrahje, dhe duhet përkrahur. Sikur të luftojë vetëm korrupsionin që po mbyt Tiranën, të sjellë normalitetin në qeverisje, të luftojë dhe largojë interesat e krimit të organizuar, ta bëjë Tiranën të jetueshme, ja vlen për ta provuar.
T’i japim një mundësi Belind Këllicit./Limit.al