BRUKSEL-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç pritet të të takohen më datë 2 maj. Lajmin e pranimit të ftesës për uljen në tryezë të dy liderëve e ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano. Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.
Peter Stano: Pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth kuadrit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera të rëndësisë politike.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, zhvilloi ditën e djeshme një bisedë telefonike me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruante se pret një takim konstruktiv dhe përparim në dialog, posaçërisht për formimin e Asociacionit.
Ndërkohë Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit të këtij asociacioni që përbëhet nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë, tashmë ka filluar punën në hartimin e statutit që pritet të paraqitet në tryezën e bisedimeve. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shkroi se sipas një vendimi të vitit 2020 parashihet që Ekipi Menaxhues të bashkërendohet më ministrinë e tij dhe t’i raportojë asaj. Por, ky ekip, tha ai, nuk i është përgjigjur një ftese për takim.
Ndërsa sa i përket takimit tejet të rëndësishëm mes dy udhëheqësve kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca deklaroi se mos raportimi nga ana e ekipit menaxhues është qasje e papërgjegjshme ndaj institucioneve të vendit. Po ashtu Konjufca shtoi se Ekipi Menaxhues duhet të përbëhet nga njerëz të Kosovës që nuk e përfaqësojnë në asnjë mënyrë interesin e Serbisë. Ai tha se Kosova nuk do të pranojë asgjë nga ky ekip që është në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Glauk Konjufca: Unë nuk pres ndonjë gjë të mirë nga një kryesuese e këtij Ekipi menaxhues e cila është deputete e Aleksandar Vuçiçit dhe deputetja e Aleksandar Vuçiçit nuk mundet me shkrujt pjesë të rregullimit institucional të Republikës së Kosovës, kjo është ABC e interesit tonë publik dhe shtetëror.Ata e kanë nënshkruar edhe me 2015 marrëveshjen për Asociacionin por më e lartë është Kushtetuta jonë, më e lartë është Gjykata jonë Kushtetuese e cila e ka rrëzuar atë poshtë. Kështu që nëse nisemi nga ky princip, nëse e mbajmë këtë drejtim edhe mundësia e Ekipit menaxhues edhe e (Aleksandar) Vuçiçit për të dëmtuar Kosovën nëse ne i mbajmë interesat tona, nëse ne nuk bëjmë kompromis me kushtetutën tonë, hapësira e tyre është faktikisht fiktive për t’i bërë dëm Kosovës.
Udhëheqësit e Serbisë dhe të serbëve lokal në veriun e Kosovës thonë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe me 23 prill bojkotuan zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës në veriun e banuar më shumicë serbe./Limit.al