Ballina ED/OP Reagime pas mbirjes së barit në asfalt

Reagime pas mbirjes së barit në asfalt

Nga Lutfi Dervishi
Lajmi se mbi rrugën e sapo asfaltuar në një qytet të Shqipërisë ka mbirë bari, fillimisht u raportua në mediat lokale e më pas bëri xhiron e botës duke ngjallur reagimin e personaliteteve në rang global.
Shtrimi i rrugëve në nisje të fushatave zgjedhore është një traditë shqiptare e konsoliduar tashmë po aq sa traditat e tjera.
Madje-madje, ashtu si festat e tjera ku Dita e Verës ka karakteristikë aromën e ballokumeve, Dita e Ashures ka karakteristikë aromën e kanellës, edhe Dita e Votimeve ka aromën e ziftit.
Megjithatë këto sa për histori sepse një tjetër çudi ngjalli interes të shtuar te vendimmarrësit si nga politika ashtu edhe nga biznesi: Mbirja e barit mbi asfalt!
Para se të ndaj me ju reagimet, të jemi të qartë, bëhet fjalë për bar të zakonshëm, nga ai që hanë gomerët…
Elon Musk: “Natyra sfidon edhe infrastrukturën më të keqe. Por të mos harrojmë se nëse do të kishim më shumë makina Tesla në rrugë, nuk do të kishim nevojë fare për asfalt”.
Donald Trump: “Unë gjithmonë kam thënë se jam një adhurues i madh i gjelbërimit. Great! Por kjo është qesharake. Ne duhet të fokusohemi që rrugët tona t’i bëjmë përsëri të shkëlqyera, t’i bëjmë great me asfalt të cilësisë së lartë dhe nuk duhet të vihemi në këtë pozicion qesharak të komentojmë cilësinë e barit mbi asfalt. Ne duhet të komentojmë cilësinë e asfaltit mbi bar”.
Joe Biden: “Më lejoni t’iu them, ky bar që rritet nga asfalti është vetëm një shenjë më shumë e nevojës urgjente për të adresuar ndryshimet klimatike. Ne duhet të investojmë në infrastrukturën e gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm, në mënyrë që të sigurojmë që këtë planet të bukur t’ia lëmë trashegim brezave që do të vijnë. Pas shpalljes së kandidaturës sime, jam në kontakt me Kryeministrin e Shqipërisë, vend aleat i yni në NATO, dhe një grup ekspertësh janë gati të nisen në Shqipëri për të marrë këtë formulë magjike që i jep zgjidhje të qendrueshme ngrohjes globale”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së: “Më duhet të them, se ky është një shembull frymëzues i fuqisë së natyrës për t’u përshtatur dhe lulëzuar edhe në rrethanatnë dukje të pa mundura. Por le të mos harrojmë tablonë më të gjerë. Ndryshimi i klimës është një krizë globale që kërkon veprim urgjent dhe ambicioz nga të gjithë ne. Fakti që bari po rritet nga asfalti është një kujtesë se ne duhet t’i japim përparësi qëndrueshmërisë, ruajtjes dhe restaurimit të ekosistemit. Së bashku, me Shqipërinë mund të krijojmë një botë që është më e gjelbër, më e bukur dhe më elastike.”
Vladimir Putin: “Ah, mrekullitë e natyrës. Bari mbi asfalt thjesht tregon se Rusia nuk është i vetmi vend i befasive. Dhe më vjen mirë që kjo shpikje nuk vjen nga Perëndimi. Sot mblodha ekspertët më të mire dhe i pyeta se si mund ta përdorim këtë bar për të forcuar ekonominë? Ka ndonjë mundësi ta përdorim edhe për t’i dhënë vodkës një shije tjetër?”.
Volodymyr Zelensky: “Ky është me të vërtetë një fenomen i jashtëzakonshëm. Kush do ta kishte menduar se asfalti mund të jetë edhe një tokë pjellore për barin? Falënderoj mikun tim Edi për këtë dhuratë që i ka bërë njerëzimit. Si President i Ukrainës, unë e shoh këtë si shenjë shprese për vendin tonë. Kjo tregon se edhe kur rruga që ke përpara është e vështirë, ka gjithmonë një mënyrë që jeta të lulëzojë”.
Kancelari gjerman Scholz: “Për ne ky lajm është sigurisht i papritur. Më duhet të them, se qeveria gjermane ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe infrastrukturën e gjelbër. Por kurrë nuk e kam imagjinuar që bari do të rritet nga asfalti. Edhe shkencëtarët gjermanë janë befasuar. Ndoshta ne mund ta përdorim këtë si një mundësi për të nisur një iniciativë të re kërkimore mbi përfitimet dhe rreziqet e mundshme të përdorimit të barit natyror në ndërtimin e rrugëve. Ne do të punojmë ngushtë me partnerët tanë në BE për të siguruar që çdo standard ose rregullore në të ardhmen të jetë në përputhje me standardet e reja që do të vendosen së shpejti. Angazhimi ynë për mbrojtjen e klimës dhe ruajtjen e biodiversitetit, ka marrë një mbështetje të fortë nga miqtë tanë shqiptarë”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama: “Ky është një moment krenarie për vendin tonë. Fakti që nga rrugët tona të asfaltuara po del bar, tregon se ne jemi një tokë me pjellori dhe qëndrueshmëri të madhe. Kjo dëshmon gjithashtu se investimi i qeverisë sonë për rrugë, në dukje, me cilësi të ulët ka qenë i mirëmenduar. Vulëhumburit e opozitës u tallën kur thamë se paratë e fushatës do ja kushtojmë vetëm gjelbërimit. Unë u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të përqafojnë këtë realitet të ri dhe të fillojnë të mbjellin kopshtet e tyre në mes të rrugëve. Nuk di t’ju them sot nëse pas legalizimit të kanabisit do të lejohet mbjella e mariuanës në rrugë, por ju garantoj se edhe kjo do jetë pjesë e konsultimit kombëtar. Së bashku kemi bërë shumë, por mund të bëjmë akoma edhe më shumë për ta bërë Shqipërinë vendin më të gjelbër në botë nëse shohim #VetëmPërpara”./Limit.al