Aknet janë një problem tepër i shpeshtë i lëkurës, që mund të shfaqet nga mesi dhe fundi i periudhës së pubertetit. Ndodh që prej tyre të vuajnë edhe femrat mbi 40 vjeç.
Në varësi të shkallës së zhvillimit, aknet lënë shenja në lëkurë, të cilat përbëjnë për individin një problem psiko-social që nuk mund të nënvlerësohet. Shërimi i tyre është përgjithësisht i vështirë edhe nën trajtim. Personat me akne duhet të trajtohen nga mjeku specialist dermatolog pa pritur që problemi të kalojë vetë.
Aknet përfaqësojnë një sëmundje pjesërisht gjenetike. Pra, shfaqja e tyre është edhe e trashëgueshme. Nëse nga aknet kanë vuajtur të dy prindërit, mundësia që fëmija i tyre të vuajë të njëjtën gjë gjatë pubertetit është mbi 50%.
Gjatë pubertetit, prodhimi i hormoneve seksuale mashkullore (androgjeneve) rritet, si tek meshkujt dhe tek femrat. Kjo çon në rritjen e prodhimit të një substance yndyrore nga gjendrat dhjamore të lëkurës, dhe në çrregullime të keratinizimit të folikujve të qimes. Kjo gjë ndodh pasi kjo lëndë e sekretuar me shumicë nuk shkarkohet dot në folikuj, për shkak të ngushtimit të kanalit të derdhjes së saj.
Disa shkaqe të tjera të akneve mund të jenë edhe:
- Obeziteti ose trashja e indit dhjamor.
- Rezistenca ndaj insulinës (mungesa e ndjeshmërisë ndaj veprimit të saj).
- Rritja e nivelit të hormoneve mashkullore, që reflektohet me mashkullinizimin e femrës.
- Lidhur me ushqyerjen, disa studime të kohëve të fundit nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje ndërmjet ushqimeve specifike dhe formimit të akneve, madje as për ushqimet e yndyrshme, pikante dhe çokollatat.
- Këto studime kanë treguar se në zhvillimin e akneve luan rol edhe sistemi imunitar.
Simptomat që personat me akne kanë:
- Formimi i puçrrave, me ose pa qelb, me ngjyrë të çelët ose të errët, kryesisht në fytyrë, por mund të shfaqen edhe në gjoks dhe në shpinë.
- Mbetja e cikatriceve ose shenjav në lëkurë
- Përmirësimi i simptomave pas ekspozimit në diell.
- Tek rreth një e katërta e femrave të reja, konstatohet një përmirësim ose përkeqësim i akneve gjatë menstruacioneve.
Si mund ti trajtojmë vet aknet?
Sa herë që lëkura paraqet probleme të tipit të akneve, është e domsodoshme të respektohen rregullat e mëposhtne:
- Të evitohet prekja e shpeshtë e puçrrave dhe të mos tentohet shtypja e tyre me thonj, pasi mund t’i acarojë ato dhe të lërë cikatrice (shenjë) në lëkurë.
- Të mos përdoret krem hidratues, mbrojtës ndaj diellit ose i tipit kozmetik me përbërje të yndyrshme, pasi këto produkte mund të bllokojnë edhe më shumë poret e lëkurës dhe të përkeqësojnë aknenë.
- Edhe pse dielli e qetëson aknenë për një periudhë të shkurtër kohore, ai e rëndon atë në vazhdimësi. Veç kësaj, dielli përfaqëson një burim të mundshëm të kancerit të lëkurës.
- Të evitohen ambientet me lagështirë.
- Të evitohet uji me klor për larjen e lëkurës.
- Të kryhen proçedurat e trajtimit të fytyrës nga persona të specializuar (estetistë).
- Në rastin e aknesë së lehtë, produktet e pastrimit dhe të kujdesit për lëkurën mund të përdoren pa rekomandimin e mjekut.
- Ushqyerja nuk rezulton se ndikon në formimin e akneve. Gjithsesi, çdo ndryshim i aspektit të puçrrave, që dyshohet se ka lidhje me ushqimin, duhet të konsultohet menjëherë me mjekun specialist dermatolog. /medinfo.al /Limit.al