Dy shtetas nga Turqia janë proceduar penalisht nga Policia Kufitare e Rinasit, pasi janë kapur me një shumë të madhe eurosh ta padeklaruara.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të çantave të shpinës, njërit shtetas i janë gjetur 30,450 euro, ndërsa tjetrit 17,000 euro, të cilat nuk i kishin deklaruar në kufi, siç e përcakton ligji.
Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 47,450 eurot.
Njoftimi i Policisë:
Rinas/Policia Kufitare godet 2 raste të tjera të mosdeklarimit të të hollave.
Sekuestrohen 47 450 euro. Procedohen penalisht 2 shtetasit turq që nuk i deklaruan në kufi, siç përcaktohet në ligj.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të shtuara, të bazuara në analizën e riskut, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, në dalje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, shtetasit turq E. G. dhe S. S.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të çantave të shpinës, shtetasit E. G. i janë gjetur 30 450 euro, ndërsa shtetasit S. S. i janë gjetur 17 000 euro, të cilat këta shtetas nuk i kishin deklaruar në kufi, siç e përcakton ligji.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 47 450 euro.
Në vijim të veprimeve nisi procedimi në gjendje të lirë për poseduesit e shumave të parave, shtetasit E. G., 63 vjeç, dhe S. S., 35 vjeç, të dy banues në Stamboll, Turqi, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë./Limit.al