Ballina Sport Keidi Bare rikthehet titullar në La Liga pas 6 muajsh, shkëlqen me...

Keidi Bare rikthehet titullar në La Liga pas 6 muajsh, shkëlqen me Espanyol përballë Villarreal

Keidi Bare rikthehet të marrë minuta në fushën e lojës, me skuadrën e Espanyol-it në kampionatin spanjoll. Mesfushori i kombëtares shqiptare lë pas dëmtimin e gjatë dhe rikthehet titullar me klubin katalanas, pas gati 6 muajsh.

Në ndeshjen e La Ligas mes Villarreal-it dhe Espanyol-it, 25-vjeçari u aktivizua në fushën e lojës për 67 minuta, duke shkëlqyer me paraqitjen e tij. Lojtari kuqezi u zëvendësua më pas nga Exposito. Bare ishte ishte një nga më të mirët në repartin e mesfushës për ekipin e tij, teksa u vlerësua me notë pozitive për paraqitjen ndaj Villarreal-it.

Rikthimi në formë i mesfushorit është edhe një lajm i mirë për trajnerin e kombëtares sonë Silvinjo, i cili do të ketë gati shërbimet e 25-vjeçarit, që është një vlerë e shtuar në mesfushën e përfaqësueses kuqezi.

Për sa i përket ndeshjes Villarreal-Espanyol ajo dhuroi spektakël duke u mbyllur me rezultatin 4-2, ndërkohë që me këtë disfatë, skuadra e Keidi Bares rrezikon rënien nga kategoria, pasi renditen në vendin e parafundit.

Ky është sezoni i tretë në Spanjë, me fanellën e ekipit katalanas për Keidi Baren.

Në ndeshjet e tjera të kampionatit spanjoll, Valencia arriti një fitore vendimtare ndaj Valladolid me rezultatin 2-1, ndërsa Sevilla triumfoi në transfertën e Bilbaos ndaj Athletic me shifrat 0-1./Limit.al