Dita Kombëtare e të Zhdukurve në Kosovë! Familjarët kërkojnë drejtësi

KOSOVË– Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve nga lufta e fundit 1998/99. Sipas të dhënave zyrtare, 1.617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se zhdukja me dhunë e mijëra qytetarëve të Kosovës, përfshirë fëmijë, “ishte përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli”.

“Kjo është një ndër krimet më të llahtarshme të regjimit gjenocidal të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit. Në ditët si kjo duhet ta kuptojmë jo vetëm se sa e rëndësishme është që të kërkohet kthimi i të gjithë të zhdukurve me dhunë, por mbi të gjitha se sa e rëndësishme është që ta vëmë në vend drejtësinë për ta”, tha Osmani përmes një deklarate.

Krerët shtetërorë dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës bënë homazhe para pllakës përkujtimore për të zhdukurit, që gjendet afër Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Glauk Konjfuca, tha se Kosova duhet të punojë me faktorin ndërkombëtar që Serbia “të japë përgjegjësi dhe llogari”, për siç tha, rrëmbimin dhe zhdukjen me dhunë të mijëra qytetarëve shqiptarë.

“Edhe sot e kësaj dite, mbi 1.600 prej tyre mbeten ende të pagjetur, jo pse nuk e dimë ku janë. E dimë saktë, e dimë edhe përgjegjësin për këta të rrëmbyer e të zhdukur me dhunë. Është shteti i Serbisë dhe me vetë faktin që shumë prej atyre që u gjetën u gjetën pikërisht nëpër institucione që i ndërtoi vetë Serbia, siç ishte rasti i poligonit ushtarak, tregon që Serbia e di saktë ku ndodhen ata”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen me forcë të të vrarëve, Serbia ka tentuar që të fshehë krimet.

“Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët dhe urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave. Për këtë na nevojitet edhe mbështetja kombëtare, por edhe mobilizimi kombëtar”.

EULEX: Familjarët e të zhdukurve duhet ta dinë të vërtetën

Ndërkaq, misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), që është marrë me çështjen e të zhdukurve, dhe Qendra Burimore për Personat e Zhdukur thanë se familjarëve të personave të zhdukur askush nuk mund t’ua mohojë të drejtën që të dinë të vërtetën”.

“Çështja e personave të zhdukur është një çështje humanitare dhe duhet trajtuar ekskluzivisht si e tillë. Familjet e të zhdukurve duhet të trajtohen me ndershmëri, dinjitet dhe respekt”, tha Negovan Mavriq, zëvendësdrejtori i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur.

EULEX bëri të ditur se që nga fillimi i mandatit të këtij misioni, ekspertët kanë kryer 725 operacione në terren dhe 197 zhvarrime, që kanë rezultuar me identifikimin e 332 persona.

“Këto shifra nuk kanë shumë rëndësi për ata që nuk i kanë gjetur ende të dashurit e tyre. Megjithatë, ato flasin për punën e bërë deri më tani dhe janë tregues i përkushtimit tonë për ta vazhduar këtë punë në mënyrë që t’u japim disa përgjigje familjeve të personave të zhdukur”, tha antropologia e forenzikës në EULEX, Luisa Marinho.

Qeveria e Kosovës ka thënë se e ka prioritet zbardhjen e fatit të të zhdukurve, teksa në Bruksel javën e ardhshme, në rundin e ri të dialogut, liderët e Kosovës dhe Serbisë pritet të miratojnë Deklaratën për të pagjeturit.

Çështja e të zhdukurve përmendet në nenin 6 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më 27 shkurt në Bruksel. Aty thuhet se “palët bien dakord që ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen”, në lidhje me këtë çështje.

Ndërkaq, në aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje – që u arrit në Ohër më 18 mars – thuhet se Kosova dhe Serbia “pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si çështje urgjente”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të enjten se pret që më 2 maj në Bruksel, çështja e të zhdukurve, të trajtohet ashtu siç është paralajmëruar, “me urgjencë”

Në rundet e dialogut, Kosova ka insistuar në termin “me dhunë” për zhdukjen e personave gjatë luftës, ndërkaq Serbia e ka refuzuar atë, duke bllokuar arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e të pagjeturve.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi. Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000./REL-Limit.al