KOSOVË– Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar këtë të mërkurë që të bëhet publik Ekipi Menaxhues që po e harton draft-Statutin e Asociacionit, i cili përbëhet prej katër serbëve. Përbërjen e këtij ekipi anonim Kurti thotë se nuk e di as ai. Dihet vetëm se Kurti nuk është lejuar ta shkruajë vetë Asociacionin dhe për këtë i janë dhënë kompetencat Ekipit, që kryesohet nga deputetja e partisë së Vuçiçit, Danijela Vujiçiç.
Ekipi Menaxhues, të cilit nuk i dihet përbërja, e shkruan draftin e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Prezantimi i këtij drafti pritet të bëhet me 2 maj, në takimin mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Ndonëse, Ekipi formalisht i bie të jetë i palës kosovare, Kurti dhe të tjerët thonë se nuk dinë shumë për këtë ekip. Dhe, as nuk kanë pritje se do ta shkruajë një draft-Statut të pranueshëm për Kosovën.
Kurti është shprehur se i takon Ekipit Menaxhues të shfaqet. Sipas tij pjesëtarët e këtij Ekipi nuk i kanë pranuar ftesat për takim që ua ka bërë vartësi i Kurtit, ministri Elbert Krasniqi.
Albin Kurti: Draft-statute, në të kaluarën, kanë konsideruar se e ka për detyrë ekipi menaxhues, i cili ka një vendim të fundit të ish-zëvendëskryeministrit Rakiq, nga 25 shtatori i viti 2020 për një ndërrim të përbërjes, mirëpo kaq di nga ana ime. I përket ekipit menaxhues që të shfaqet. Por ministri im, Elbert Krasniqi, që është ministër i Administrimit Lokal, i ka bërë ftesë për takim këtyre, mirëpo ata nuk janë përgjigjur asnjëherë.
Zëvendësi i Albin Kurti, Besnik Bislimi dukej i pakënaqur që Statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë shkruhet nga ekipi i udhëhequr nga një deputete e Serbisë.
Besnik Bislimi: Janë katër persona. Janë serbë. Daniela Vujiciç është kryesuese. Dy prej tyre janë që nga viti 2013, dy kanë pësu vazhdimisht ndryshime.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, javën e kaluar ka thënë se nëse Ekipi Menaxhues ofron një draf-Status që i përshtatet Serbisë, atëherë ai duhet të shkarkohet. Konjufca nuk ka shumë shpresë që Ekipi do të bëjë punë të mirë, duke gjykuar na përbërja e tij.
Glauk Konjufca: Aty qysh është e rregulluar kjo punë nga e kaluara është se ekziston një ekip i menaxhimit i cili ka pasur obligim për të ofruar një version të Asociacionit, një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofrojë tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionoj duke parë përbërjen e këtij ekip të menaxhimit, ku është i përberë edhe nga deputetët e Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën. Nëse ky menaxhment ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, mendoj që më e udhës për Kosovën është që të shkarkohet ky menaxhment
Sipas gazetes Express, më 2 maj pritet të shihet se çfarë do të ndodhë më draftin e hartuar nga Ekipi Menaxhues – gjithmonë nëse takimi nuk dështon. Presidenti serb sot ka dhënë shenja që edhe mund të mos shkojë në takim. Ndërmjetësuesi evropian i Dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak e ka konfirmuar se në takimine 2 majit, pjesë e agjendës është prezantimi i draftit të Statutit të Asociacionit./Limit.al