Nga Irina Dolinina “World Crunch”
Bakhmut – Legjioni i Lirisë së Rusisë ekziston prej pak më shumë se një viti. Por ia ka tërhequr tashmë edhe vëmendjen e Kremlinit. Bëhet fjalë për legjion brenda Forcave të Armatosura të Ukrainës që lufton kundër Rusisë, i përbërë tërësisht nga dezertorë të ushtrisë ruse, si dhe vullnetarë të tjerë rusë dhe bjellorusë.
Gjatë gjithë kësaj kohe, mediat ruse kanë vënë vazhdimisht në pikëpyetje pretendimet se luftëtarët e këtij legjioni kanë marrë realisht vërtet në operacione luftarake. Por kjo u konfirmua në shkurt të këtij viti nga një gazetar i “The New York Times”.
Pastaj muajin e kaluar, propaganda ruse e quajti Legjionin e Lirisë një “projekt mediatik”, dhe Gjykata e Lartë ruse e shpalli atë një organizatë terroriste. E megjithatë, luftëtarët e këtij legjionit janë duke luftuar në Bakhmut, në njërën prej betejave më të ashpra që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Media e pavarur ruse “Vazhnyye Istorii” (Histori të Rëndësishme), intervistoi 2 nga anëtarët e tyre. Ata janë 2 shtetas rusë secili mbi 40 vjeç dhe secili me një emër lufte: Tikhiy dhe Cezar.
Tikhiy:Unë kam lindur në Tolyatti (në Rusinë Perëndimore). Nga mosha 18 deri në 20 vjeç kam bërë dy vjet shërbim të detyrueshëm ushtarak. Në vitin 1999, më kërkuan të shkoj në Luftën e Dytë të Çeçenisë. Filluan të na stërvitnin, por unë i kërkova trajnuesit tim të më ndihmonte t’i shpëtoja rekrutimit.
Në atë kohë nuk kisha njohuri për politikën, por nuk e kuptoja luftën kundër njerëzve të pafajshëm. U përfshiva në një njësi sportive dhe i shpëtova atij turpi. Pastaj punova në ndërtim. Në Tolyatti, takova gruan time të ardhshme, e cila ishte nga Ukraina. Në fillim jetuam në të dyja vendet.
Ne kemi 2 vajza të rritura: vajza ime e madhe tani jeton në Ukrainë. Kam punuar në Berdyansk, Mykolaiv dhe Donetsk, Krime. Në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, ndodhesha në një situatë ekonomike shumë të vështirë. Kështu një ditë shkova në Kiev për të punuar.
Kur bisedova me të afërmit e mi mbi mundësinë e një pushtimi në shkallë të gjerë, u thashë: “Mos u frikësoni. Putin nuk është çmendur që të nisë diçka të tillë. Është shekulli XXI, dhe nuk ka më njerëz të Epokës së Neandertalit. Por mëngjesin e 24 shkurtit 2022, u zgjova nga shpërthime të fuqishme. Ngjitur me shtëpinë kishim një repart ushtarak.
Pastaj mblodhëm ushqime dhe zbritëm në bodrum. Pyeta njerëz të mbrojtjes territoriale dhe një mikun tim se si mund të ndihmoja. Një javë më vonë, unë dhe bashkëshortja filluam vullnetarizmin . Pasi u çlirua rajoni i Kievit, shkuam kudo për të ndihmuar njerëzit e prekur nga bombardimet.
Unë u trondita kur pashë se çfarë kishte bërë ushtria ruse. Pamë kufomat e njerëzve paqësorë. Nuk e kuptoj se çfarë njeriu mund të jetë dikush që duhet të bëjë akte të tilla tmerrshme, të përdhunojë gra, fëmijë… Dukej sikur kishin liruar nga burgjet të gjithë perversët dhe i kishin nisur për luftë.
Kur po ndihmoja banorët e rajonit të Kievit, më kontaktuan nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës. Ata më morën në pyetje, më kontrolluan telefonin dhe mësuan pse isha këtu dhe pse kisha pasaportë ruse. U treguan të sjellshëm. FSB-ja ruse do të më kishte dhunuar me siguri edhe para se të niste marrja në pyetje.
I pyeta se si mund të angazhohesha në luftë. Dhe ata më këshilluan Legjionin e Lirisë së Rusisë. I shkrova Legjionit në Telegram se doja t’u bashkohesha. Plotësova një pyetësor. Pastaj u takuam dhe biseduam, dhe iu nënshtrova makinës të së vërtetës. Pastaj pasuan teste të tjera dhe në fund më thanë të përgatitesha për kursin e trajnimit.
Një mbrëmje i tregova familjes. Vajza dhe gruaja qanë, por më kanë përkrahur:“Bravo, është zgjedhja jote dhe është e duhura”. Ushtria ukrainase më stërviti. Sapo shkova atje mqë thanë: “Faleminderit që jeni këtu me ne, që keni mendje dhe zemër dhe jeni gati për ta mbrojtur këtë vend”.
Në fillim mendova se do të vritesha që në përplasjen e parë. Por ata më stërvitën mirë.
Iu nënshtrova 2 muaj stërvitje dhe u bëra një përdorues mortajash. Shokun tim të fëmijërisë e thirrën në mobilizim. Ai më dërgoi një mesazh nga Belgorod: “Vëlla, çfarë duhet të bëj?”.
Unë iu përgjigja: “Ik, se po erdhe këtu në Ukrainë do të të vrasim!”. Ai ishte shumë paqësor dhe nuk e kuptonte se si mund të sulmosh fqinjët e tu. Kur nisi pushtimi në shkallë të gjerë, ai ishte i shqetësuar për ne. Më pas nuk komunikuam më. Për arsye sigurie ndërpremë kontaktet më të.
Nuk e kam problem që qëlloj mbi bashkëkombasit e mi, edhe nëse shumica e tyre janë normalë dhe jo të çmendur. Kur m’u ofrua mundësia të flisja me të burgosurit refuzova.
Ishte si të flisje me një mur. Unë nuk jam i interesuar për këtë. Detyra ime është t’i dëboj pushtuesit nga Ukraina dhe të çliroj Krimenë.
E kuptova që në vitin 2002 se nuk doja të jetoja në Rusi, pasi nuk shihja asnjë perspektivë. Nëse do të isha një njeri i dhënë pas pijes, ndoshta gjithçka do të ishte mirë. Por unë nuk pi dhe ndoshta prandaj jam më i arsyeshëm se të tjerët.
Jam përpjekur disa herë të heq dorë nga nënshtetësia ime ruse. Unë do të ndihmoj në çlirimin e territoreve të Ukrainës dhe më pas do t’i lë të rinjtë të bëjnë atë që duan të bëjnë. Unë kam një familje dhe do t’i përkushtohem atyre. Kam kohë që nuk i kam parë dhe më mungojnë.
Cezar:Unë kam lindur në Soçi dhe kam jetuar atje për më shumë se gjysmën e jetës sime. Është një qytet i bukur që e dua shumë. Nëse do të jem me fat, do të kthehem atje. Vitet e fundit kam jetuar në Shën Petersburg dhe kam punuar si trajner fitnesi dhe instruktor në terapi fizike.
Gjatë viteve 2005-2006, e kuptova se vendi po shkonte në drejtimin e gabuar dhe se regjimi i Putinit i shkatërron njerëzit jo vetëm fizikisht por edhe moralisht. Ai nuk i lejon njerëzit të jenë vetvetja dhe të kenë të drejtat e tyre civile. Dhe për të ruajtur pushtetin, ai po i drejtohet gjithnjë e më shumë represionit.
Nuk më vjen turp që jam një nacionalist rus. Unë i dua bashkëkombasit e mi. Pikërisht për këtë arsye u bëra një mbështetës i organizatës radikale nacionaliste Lëvizja Perandorake Ruse. Pavarësisht se e shmanga rekrutimin në ushtri, kisha aftësi ushtarake dhe isha instruktor në këtë fushë.
Kam trajnuar njerëz nga organizatat nacionaliste të krahut të djathtë që mund të përmbysnin regjimin aktual me forcën e armëve. Vitet e fundit isha shumë i zhgënjyer nga bashkë-qytetarët e mi. Mendoja se ata nuk ishin në gjendje të revoltoheshin dhe të luftonin kundër uzurpatorëve të pushtetit.
Por pasi Putini filloi pushtimin, m’u sos durimi. Si i krishterë dhe si një njëri që e do atdheun e tij, unë nisa luftën kundër Federatës ruse, sado e habitshme që mund të tingëllojë kjo. E kuptova që Ukraina do të fitonte dhe se po luftoja për kauzën e duhur. Ushtarët ukrainas po mbronin shtëpinë e tyre. E kuptova se me këtë pushtim, Putini i kishte dhënë fund sistemit të tij dhe krijoi hapësirë për një ndryshim të pushteti në Rusi. U zgjova në orën 5 të mëngjesit të 24 shkurtit 2022 për të shkuar në punë. Nisa të lexoj lajmet në celular, u trondita dhe nuk e mora veten gjatë gjithë asaj dite.
Kur u ktheva, fëmijët e mi më të mëdhenj më përshëndetën të mërzitur dhe më pyetën: “Babi, çfarë do të ndodhë me Ukrainën?”. Iu përgjigja: “Qetësohuni. Ukraina do të fitojë. Është vetëm çështje kohe”. Gjyshja ime është ukrainase. Unë e njoh këtë frymë lirie që ekziston tek ukrainasit.
Dhe e kuptoj shumë mirë se Ukraina do të fitojë. Vendosa menjëherë të nisem në mbrojtje të Ukrainës. Fëmijët e mi më të mëdhenj dhe gruaja ishin dakord me mua. Kam kontaktuar 9 ambasada ukrainase në vende të ndryshme, por ato nuk mund të më ndihmonin.
Legjionet e huaja, në të cilat qytetarët e huaj mund të luftonin në anën e Ukrainës, refuzuan të pranonin shtetas nga vendi agresor. Më pas mësova për Legjionin Rusia e Lirë. Plotësova formularët dhe kalova procedurat e nevojshme. Në fillim të verës 2022, erdha këtu në Ukrainë, kalova të gjitha intervistat, testet dhe iu bashkova mbrojtësve të saj.
Qëndrimi ndaj nesh është korrekt dhe i drejtë. Në njësinë tonë ka edhe oficerë ukrainas. Ata e kuptojnë se për rusët, zgjedhja për të marrë armët për të mbrojtur Ukrainën është moralisht më e vështirë sesa për qytetarët ukrainas që mbrojnë shtëpitë e tyre. Ata e kuptojnë që ne kemi familje dhe të afërm në Rusi, por lamë gjithçka pas dhe erdhën këtu për të mbrojtur Ukrainën.
Gjithsesi, unë nuk dua të marr nënshtetësinë ukrainase apo të qëndroj këtu. Në rastin më të parë, do të kthehem në shtëpi, sigurisht nëse do të mbetem gjallë. Do të kthehem në Rusi me një armë për ta çliruar atë nga tirania. Dua të jetoj dhe të vdes në tokën time./albeu.com