Ballina Kosova LAJM I MIRË, Kosova një hap më pranë anëtarësimit në KE! Komiteti...

LAJM I MIRË, Kosova një hap më pranë anëtarësimit në KE! Komiteti i Ministrave voton pro dhe e kalon në Asamblenë Parlamentare

BRUKSEL– Kjo e hënë ka shënuar nje tjetër moment historik për të ardhmen europiane të Kosovës pasi Komiteti Ministror i Këshillit të Europës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës. Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla.

Përmes një postimi në rrjetet sociale shefja e diplomacisë kosovare shkruan se Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.

Donika GërvallaPër shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022. Këshilli i Europës, organizata më e vjetër europiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Lidhur me këtë lajm ka reaguar dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Përmes një postimi në rrjetet sociale Osmani shkruan se së shpejti Flamuri i Kosovës do të valojë me krenari në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës.

Vjosa OsmaniFlamuri i Republikës së Kosovës së shpejti do të valojë me krenari në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës.

Një reagim ka ardhur dhe nga kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti. Kurti shkruan se Kosova e ka kaluar me sikses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Albin Kurti:  Kosova kalon me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë. Falënderoj ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti dhe ekipet e tyre për punën e pandërprerë, si dhe partnerët tanë e shtetet anëtare, për përkrahjen e pakursyer.

Radio Europa e Lirë duke iu referuar burime diplomatike të kontaktuara nga ata shkjruajnë se presin që edhe në vazhdim të procedurave për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës të ketë taktizime dhe që hapat të lidhen me përmbushje e obligimeve që dalin nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve që kanë arritur Kosova dhe Serbia.

Pjesë e taktizimeve, sipas burimeve, është edhe tentimi që aplikimi i Kosovës të mos futet në rend dite gjatë samitit të Këshillit të Evropës që mbahet në mesin e majit në Islandë, e cila kryeson Këshillin e Ministrave.

Çfarë është Këshilli i Europës dhe si financohet ky Këshill

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, me seli në Strasburg të Francës. Është themeluar më 1949. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Europë. Këshilli i Europës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Europës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare. Për vitin 2022, Këshilli i Europës ka buxhet prej 477 milionë eurosh. Buxheti krijohet kryesisht nga kontributet e vendeve anëtare. Kontributet bazohen në një formulë që merr parasysh bruto-prodhimin e brendshëm. Në mesin e vendeve që kanë kontribuuar më shumë deri më tash janë: Franca, Gjermania, Italia, Federata Ruse dhe Mbretëria e Bashkuar. Të hollat shfrytëzohen për të zbatuar programin, i cili bazohet në tri fusha: të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë./Limit.al