Ballina Kosova Kosova në KiE i shton ‘dhimbjen e kokës’ Beogradit! Hungaria ‘besnike’ e...

Kosova në KiE i shton ‘dhimbjen e kokës’ Beogradit! Hungaria ‘besnike’ e Vuçiç! Ja si votuan vendet anëtare

BRUKSEL– Komiteti Ministror i Këshillit të Europës i hapi këtë hënë dritën ”jeshile” anëtrësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Por ashtu siç dhe pritej nga disa vende jo të gjithë kanë qenë të ‘’gëzuar’’ për këtë hap tjetër të Kosovës drejt familjes europiane. Përveç Serbisë, e cila ka zgjedhur të reagojë me ironi dhe sarkazma në ‘’luftën’’ virtuale për këtë vendim dhe disa vende të tjera iu bashkuan asaj duke votuar kundër Kosovës.

Se si kanë votuar vendet anëtare detajet i ka zbuluar Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Përmes një postimi në Twitter ai bën me dije se 33 vota kanë qenë në favor të Kosovës, 7 kundër dhe 5 abstenime.

Votuan PRO: Shqipëria, Andorra, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Votuan KUNDËR: Hungaria, Spanja, Rumania, Qipro, Gjeorgjia, Azerbajxhani e Serbia.

ABSTENUAN Greqia, Sllovakia, Ukraina e Bosnja.

Ndërkohë Armenia nuk ka marrë pjesë fare në votim.

Pas vendimit të Komitetit Ministror ka reaguar menjëherë kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç. Përmes rrjeteve sociale Brnabiç ironizon vendimin duke kontestuar demokracinë evropiane.

Ana BrnabiçAh, tani e kuptova!!! Ndoshta ka demokraci dhe sundim të ligjit në “botën virtuale” në Kosovë, dhe kjo është ajo që u pëlqen njerëzve ViolavonCramon dhe organizata të tilla si @freedomhouse  janë duke vlerësuar. Prandaj mbështetja për Prishtinën në @coe. Demokracia virtuale, liria dhe shteti ligjor”.

Pas vendimit të Komitetit Ministror të Këshillit të Europës kanë reaguar dhe krerët më të lartë të Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar si një hap historik drejt rrugës europiane ndërsa ministrja e Jashtme Donika Gërvalla e cilësoi këtë si një moment historik duke shtuar se tashmë Kosova është një hap më pranë Bashkimit Europian.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, me seli në Strasburg të Francës. Është themeluar më 1949. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Europë. Këshilli i Europës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Europës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare. Për vitin 2022, Këshilli i Europës ka buxhet prej 477 milionë eurosh. Buxheti krijohet kryesisht nga kontributet e vendeve anëtare. Kontributet bazohen në një formulë që merr parasysh bruto-prodhimin e brendshëm. Në mesin e vendeve që kanë kontribuuar më shumë deri më tash janë: Franca, Gjermania, Italia, Federata Ruse dhe Mbretëria e Bashkuar. Të hollat shfrytëzohen për të zbatuar programin, i cili bazohet në tri fusha: të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë./Limit.al