Ballina ED/OP Ujku me dy këmbë?!

Ujku me dy këmbë?!

Nga Mitro Çela

Duke qënë me nge, nisa të “kullos” nëpër internet.
Haberi i parë. Në disa fshatra të Francës, një ujk hante bagëti për të “vrarë” urinë. Por ishte edhe kapriços.
Mbyste tufa me dhën për karshillëk.
Haberi i dytë: U mblodh sindikata e blektorëve.
Sa demode, Franca?! Mendova. Kanë sindikata edhe fashtarët?! Ne, shqipot, jemi rehat.
Në vitin 1992, me dekret të Presidentit Berisha, sindikatat u hoqën qafe duke u dhuruar kampe pushimi dhe shtëpi kulture.
Në atë mot, kjo pasuri llogaritej rreth 25 milionë dollarë?!
Një “bos” sindikate, pasi futi në xhep 2-3 milionë dollarë, ka 20 vjet që jeton në Francë?! Ka kërkuar ekzil politik, sepse vodhi si ujk me dy këmbë?!
Por le të kthehemi në Francë. Disa vite më parë ujku me katër këmbë ishte një kafshë në zhdukje.
Fjalë e hata! Të mbetej Franca pa ujqër?!
U mblodh parlamenti. U poq ligji. Gjobë ose burg kush abuzonte me ujkun!
Në mbrojte të ligjit, ujku u shtua. U bë kope. Në fillim hante si ujk me katër këmbë: “Kulloste” natën.
Më von u bë si “ujk me dy këmbë”. Livadhiste ditën me diell. Normale. E mbronte ligji.
Pasi u bënë llogaritë për dëmet në bagëti, kuvendi i sindikatave i nisi një mesazh ministrit të Rendit:
-“SOS” nga ujku! Na griu delet! Duam leje për të marrë hak?!
Haberi i tretë. Përgjigjet ministri:” Ligji është ligj!…Nuk ndryshon me sustë. Do debat. Do argumenta…Çdo gjë do kohën e vet?!”
Kthehemi në Shqipëri. Kam në dorë raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ligji i prokurimeve është shkelur në Këshillin e Ministrave, në gjykata, në shumë bashki…Pardon edhe në ministrinë e Rendit!…
Morali: Në Shqipëri ujku me katër këmbë është specja në zhdukje. Pushtetari është bërë “ujku me dy këmbë”. Shqyen arkën e shtetit në mes të ditës?!/Limit.al