Ballina ED/OP Më mirë “njësoj” Belindin apo “njësoj” Erionin?

Më mirë “njësoj” Belindin apo “njësoj” Erionin?

Nga Ylli Manjani

“Pse, ata që vijnë janë më të mirë? Njësoj janë…”- thonë rëndom një takëm jo i vogël njerëzish,që përpiqen të justifikojnë indiferencën elektorale.
*****
Ndoshta ata që duan të vijnë nuk janë më të mirë. Po pajtohem për hir të argumentit me “indiferentët” ose me të gjithë ata që e thonë këtë gjë pavarësisht arsyeve përse.

Por gjykoj se si fillim, “detyra elektorale” e jona është të largojmë këta që sundojnë. I duhet dhënë një mësim sunduesve se janë të heqshëm, se nuk janë të përjetshëm në karriket që mbajnë me turlilloj marifetesh.

Ata që hyjnë në një zyrë publike me zgjedhje, duhet të kuptojnë se duhet të dalin prej tyre. Përndryshe, me justifikime të tilla, pra se janë të gjithë njësoj, ata qelben në pushtet, siç janë qelbur.

Nga pushteti i qelbur betëm qelbësirllëqe dalin. Nëse nuk largojmë qelbin, infeksioni na merr jetën.

Pra këta që janë qelbur duhen larguar nga karriket që mbajnë. Dhe ata që vijnë, ndonëse janë “njësoj” ose edhe më të këqinj po të doni, duhet të mësojnë se vota të largon nga zyra pavarësisht marifeteve.

Ky është misioni i këtyre zgjedhjeve!

Tani, që të vini shpirtin në paqe, nëse të gjithë janë njësoj, le ti japim shancin dikujt tjetër fundja. Sepse njësoj për njësoj, më mirë një “njësoj” i ri sesa një “njësoj” i qelbur në pushtet. Fjala vjen më mirë “njësoj” Belindi sesa “njësoj” Erioni. Sepse ky i fundit ngaqë është qelbur me pushtet të pamerituar nuk e llogarit më të keqen që u bën njerëzve. Sepse është i paprekshëm.

Paprekshmëria është ajo që duhet të zgjidhim.

Të paktën duhet të japim mesazhin që vota siç të hyp në pushtet ashtu edhe të largon prej tij.

Këtë mesim ja kemi borxh t’ia mësojmë agallarëve politikë që Noli i quane kolltukofagë.

Nëse vota konfirmon qelbin në pushtet, nuk ka më asnjë justifikim që sulmin që të qelburit do na bëjnë. E fillojmë me të gjithë ata që kanë shtëpi mbi 50 vjeçare…

Vota që nuk largon të keqen, do zhveftësohet fare.

Këtu fillon dhe mbaron demokracia…/Limit.al