Seferi protagonist absolut te Vorskla Poltava në Ukrainë, Tuci i jep fitoren Lokomotivës së Zagrebit

Taulant Seferi po kalon një moment fantastik në kampionatin ukrainas.

Sulmuesi shqiptar ishte protagonist absolut në fitoren e fundit të skuadrës së tij Vorskla Poltava, ndaj Metalistit të Kharkivit, me rezultatin 3-2.

Seferi realizoi dopietë në pjesën e parë, të dyja me anë të një 11-metërshi. Ndërkohë bomberi kuqezi shpërdoroi edhe një mundësi të artë për të realizuar hat-trick, kur në minutën e 30-të gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Seferi vendosi baraspeshën në minutën e 26-të. Në minutën e 46-të të pjesës së parë, 26-vjeçari shënoi edhe të dytin.

Me këtë dopietë, ish-sulmuesi i Tiranës kapi kuotën e 11 golave në kampionat, në 21 sfida të luajtura për Vorsklan.

Paraqitja dhe forma e mirë që po kalon, kanë bërë që Seferi të marrë ftesën nga Silvinjo, për të qenë pjesë e kombëtares.

Ndërkohë edhe Indrit Tuci gjeti rrugën e rrjetës në Kroaci, me skuadrën e Lokomotivës së Zagrebit.

Kurbinasi hyri nga stoli dhe arriti të shënojë golin e fitores së Lokomotivën ndaj Sibenikut, në minutën e 81-të.

22-vjeçari u zhyt bukur me kokë dhe dërgoi topin në fundin e rrjetës, duke mposhtur portierin kundërshtar. Ky ishte goli i 5-të sezonal në elitën e futbollit kroat për Tucin, i cili numëron edhe 3 asiste.

Për skuadrën nga kryeqyteti i Kroacisë, luajtën si titullarë edhe Jon Mersinaj dhe Art Smakaj./Limit.al