Ballina Kryesore Pranohet pjesërisht apelimi i klubit, Juventusit i shtohet 15 pikët në Seria...

Pranohet pjesërisht apelimi i klubit, Juventusit i shtohet 15 pikët në Seria A

Juventus dhe tifozët bardhezinj mund të festojnë, të paktën momentalisht. Klubit torinez i janë rikthyer 15 pikët e hequra në kampionat.

Bordi i Garancive Sportive në Komitetin Olimpik Italian miratoi pjesërisht ankesën e Juventusit dhe i kërkoi Gjykatës së Apelit të Federatës Italiane të Futbollit, të rivlerësonte dënimin prej 15 pikësh të shkaktuar ndaj Juves.

Kështu, Juventusit do t’i rikthehen 15 pikët e hequra, deri në momentin e marrjes së vendimit final, muajin e ardhshëm. Ankesa e Juventusit u pranua me shtyrje, ndaj u pezullua dënimi prej 15 pikësh dhe procedimi do të kthehet në Gjykatën e Apelit, e cila do të duhet të shqyrtojë sanksionin në pikë dhe arsye, shkruhej në vendimin e marrë nga Bordi i Garancive.
‘Zonja e vjetër’ kishte kundërshtuar vendimin e Federatës mbi çështjen e plusvalencave, duke e cilësuar heqjen e pikëve si të parregullt dhe të pabazuar në rregullore. Deklarata e Prokurorit të Federatës Italiane, i cili i pranoi pasaktësitë në vendimin e mëparshëm, u dha atyre një ndihmë.

Por vendimi parashikon që çështja të kthehet për rigjykim në Komisionin e Apelit të Federatës Italiane. Kjo do të thotë se mund të ketë dënim në të ardhmen për klubin torinez, lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë, janë konfirmuar dënimet për ish-Presidentin Andrea Agnelli, Fabio Paratici dhe Maurizio Arrivabene, kurse janë kthyer për rigjykim në Apel çështjet e ish-zv/Presidentit Nedved, Velano, Garimberti, Gracioli-Venier, Hjugs, Marilungo dhe Ronkaljo./Limit.al