Me paraqitjen e tij, ai është padiskutim lojtari më i mirë në La Liga 2 dhe kryefjala në ligën e dytë spanjolle.
Po flasim për bomberin shqiptar Myrto Uzuni, i cili këtë sezon po kalon absolutisht formën më të mirë në karrierën e tij. Sulmuesi beratas ka shënuar këtë sezon me fanellën e Granadas 21 gola në ligë, ndërkohë që ka kontriubuar për shokët e skuadrës edhe me 4 asiste.
27-vjeçari udhëheq listën e golashënuesëve të La Liga 2, dukshëm me diferencë nga lojtarët e tjerë, ku rivali më i afërt për këpucën e artë është 6 gola mbrapa.
Në Granada, bomberi kuqezi është kthyer në një idhull të tifozëve dhe me paraqitjet e tij, ai po ndihmon ekipin të ngjitet në elitën e futbollit spanjoll.
E pikërisht këto paraqitje të Myrto Uzunit, kanë bërë që shumë klube elitare në Spanjë, të shprehin interesin dhe pëlqimin e tyre, për të marrë shërbimet e sulmuesit të kombëtares shqiptare.
Së fundmi, një ndër klubet e interesuara për Uzunin është Sevilla. Faqja spanjolle ‘Todofichajes’ e specializuar për merkaton e lojtarëve, raporton se 6 herë kampionët e Europa League kanë shprehur interes për të bërë pjesë të tyre 27-vjeçarin.
Andaluzianët do të tentojnë që në merkaton e verës për të marrë në skuadër yllin kuqezi, shkruan faqja për merkatot e lojtarëve në Spanjë./Limit.al