Ballina Art Metamorfoza – fundi i andrrës revolucionare

Metamorfoza – fundi i andrrës revolucionare

Nga Rrahman Paçarizi

Vite më parë më duhej një letër sigurimi për në Maqedoni. Punëtorja e kompanisë së sigurimeve, një grua rreth 40 vjeçe, e kishte ndezë cigaren dhe e shkundte hirin në tabllën e bardhë të kafesë turke që e mbante me dy gishta e afronte afër buzëve të trasha dhe pasi i frynte pak e rrufiste me një zhurmë triumfaliste. E përshëndeta dhe prisja lejen për t’u ulë ose për t’ia shpjegu ashtu në këmbë nevojën time. Më shikoi me njërin sy, ndërsa tjetrin e mbylli, qoftë nga tymë i cigares, qoftë nga kafeja e nxehtë që ia përvëloi buzët a gjuhën.

– Hë?
– Një sigurim për në Maqedoni më duhet….
– Sot e gjete a?
– Sot më duhet, në fakt më duhet shumë shpejt..
– Pfff
– Po?
– Jo jo kurrgjë. Qysh e ke emrin? Mbiemrin?

Ia thashë. Qoftë për emrin qoftë për mbiemrin, aq u rrudh e u neverit e u prish në fytyrë sa nuk e kuptova se nga çka e pati. Nuk jam as unë i kënaqur nga emri që kam, por ç’faj kam unë. Sa për mbiemrin, mjafton që është i veçantë, po nejse.

– Ty a përnjimend për sot po të duhet a?
– Po për sot, ashtu e kam punën…

Sërish e prishi fytyrën në atë mënyrë, pasi e lëvizi bythën e trashë në një mënyrë të çuditshme, sa mendova se padashur i kishte shpëtu ndonjë pordhë a fend dhe mënd e kishte helmu veten me ndonjë aromë të pakëndshme.

Pa këtë pjesën e pjerdhjes, për një moment ia desha fuqinë që e kishte mbi mua dhe u trishtova.

Pjesa tjetër e rrëfimit është e parëndësishme, sepse pas shumë torturash e mora letrën e sigurimit. Natyrisht, në një mëngjes të tillë të së premtes, një punëtore në një zyrë të lirë sigurimesh aq pushtet kishte. Ishte e hera e parë në Kosovën e pasluftës që e ndjeva forcën e pushtetit, fuqinë e dikujt dhe pafuqinë time (letra e sigurimit më duhej me patjetër dhe me patjetër atë ditë). Ndoshta ju që po lexoni e keni përjetu këtë ushtrim pushteti nga kamerieri në ndonjë bar a restaurant plazhi, ndoshta në takimin me policinë, kur pasi keni bërë një shkelje të lehtë në trafik, ai ua mban ligjëratën se si duhet të keni kujdes, pasi në makinë e keni krejt familjen dhe keni përgjegjësi për ta se “me pasë kon vet, grahi sa t’dush o vlla për veti e ki” e ti ndihesh jo vetëm në faj për shkeljen, por se gati e paske çu posht familjen tënde për të cilën ai po kujdeset më shumë sesa ti. Por jo – ai në fakt po e ushtron pushtetin e tij – e ka gjetë rastin me ta mbajtë një ligjëratë, me e realizu vetveten sepse, me gjasë, gjatë gjithë jetës askush asgjë nuk e ka pyetur përveç kondukterit në autobus kur ia ka kërku biletën…

Ushtrimi i pushtetit është një nevojë jona e brendshme, të cilën e shpërfaqim pavetëdijshëm. Kur e shpërfaqim vetëdijshëm përpiqemi ta kamuflojmë duke u paraqitur si gardianë të së njerëzishmes, të moralit, të atdhedashurisë… Në fakt jemi duke luftu me vetveten, teksa ajo na del ndoresh.

Kur ti je ushtruesi i pushtetit, gjithçka të duket normale, por kur ti je viktima në fillim të vjen me sha, me goditë, pastaj nis e i bën llogaritë se a të bie më mirë a më keq. Kur e ke kryer llogaritë, nxjerr përfundimin se ai ushtrim pushteti është veç një furtunë momentale që kalon shpejt dhe ti e ruan qetësinë e për më tepër je i varur në njëfarë mënyre dhe nuk rrezikon, por duron. Ndoshta edhe për shkakun se nuk ia ke pa hajrin revolucionaritetit dhe reagimit. Rast pas rasti, kjo mënyrë e të menduarit shndërrohet në shprehi – Skinneri na sheh si krijesa bihejvioriste që shprehinë e ndërtojmë mbi raportin ndërmjet stimulusit dhe përgjigjes ndaj tij. Ngadalë e shohim veten në shtretër oportunizmi, të cilët nuk është se s’janë të rehatshëm – shpirti që duket se dhemb herë pas here është kategori tepër e diskutueshme për ta trajtu e miklu dhe e sheh që egoja është relative. E kur relativizohet egoja dhe e ke kriju aftësinë për lexim të drejtë ndërmjet stimulusit dhe përgjigjes, gjen rrugë për krijim të shprehisë. Tashmë edhe me shpirtin je rehat (edhe me egon sigurisht) sepse ke bë shumë kompromise dhe e ke dekategorizu.

E kulmi i mjerimit është kur e sheh veten tu’ lakmu me qenë një nga kafshët, teksa e ke parasysh metaforën e “Fermës së kafshëve” e cila si metaforë është kiç, në fakt – e ke parë më herët te “Aventurat e Çipolinos” dhe je ngopë me atë lloj metafore. (Dallimi i personazheve, kafshë te Orëelli e pemë te Rodari është ideologjik, por si fëmijë i rritur me letërsi socrealiste e shkollë të tillë, që në rini je zhvillu nëpër një tranzicion të pafund, këto dy metafora i merr si të mirëqena dhe nuk i konteston as estetikisht).

Ato kafshë shkrryhen pa e vra shumë mendjen dhe janë të shëndosha. Ti që je lodhë duke luftu kundër ayre që kanë fuqi, nis e sheh andrra – me qenë një nga ato kafshë, nga ato kafshë të cilave ua ke përkëdhelë ushtrimin e fuqisë.

Jo të gjitha andrrat janë revolucionare.