Ballina Kryesore Profesori që synon të thyejë rekordin botëror duke jetuar 100 ditë nën...

Profesori që synon të thyejë rekordin botëror duke jetuar 100 ditë nën ujë

Rekordi aktual për kohën e kaluar nën sipërfaqen e ujit është 73 ditë, dhe profesor Joseph Dituri synon ta thyej atë.

Qëllimi i tij është i lidhur me shkencën, sepse dëshiron të përcaktojë se si trupi i njeriut reagon ndaj ekspozimit afatgjatë ndaj presionit ekstrem.

Prandaj, profesori do të banojë në një thellësi prej nëntë metrash në Key Largo, Florida.

Ai do të monitorohet vazhdimisht nga një ekip mjekësor që do të raportojë për gjendjen shëndetësore të profesorit 55-vjeçar, duke e vizituar dhe kryer një sërë analizash.

Dituri do t’i nënshtrohet analizave psikosociale, psikologjike dhe mjekësore duke përfshirë gjakun, ekografinë dhe elektrokardiogramin, si dhe analizat e qelizave staminale.

“Trupi i njeriut nuk ka qenë kurrë nën ujë për kaq shumë kohë, kështu që unë do të monitorohem me kujdes. Ky hulumtim do të shqyrtojë të gjitha mënyrat se si ky udhëtim ndikon në trupin tim, por hipoteza ime zero është se do të ketë një përmirësim në shëndetin tim për shkak të rritjes së presionit”, tha profesori.

Dituri e mbështet teorinë e tij në gjetjet e një studimi, në të cilin qelizat e ekspozuara ndaj presionit të shtuar u dyfishuan në pesë ditë.

Kjo sugjeron që presioni i shtuar mund t’i ndihmojë njerëzit të zgjasin jetëgjatësinë e tyre dhe të parandalojnë sëmundjet e lidhura me moshën.

Ai ka shërbyer më parë në marinën amerikane për 28 vjet si oficer zhytjeje. Pasi doli në pension në vitin 2012, vazhdoi shkollimin në universitetin e lartpërmendur për të marrë një doktoraturë, dhe për të mësuar më shumë rreth lëndimeve traumatike të trurit.

“Shumë nga vëllezërit dhe motrat e mia në marinë kishin pësuar lëndime në tru dhe unë doja të mësoja se si t’i ndihmoja ata. E dija se presioni hiperbarik mund të rriste rrjedhjen e gjakut cerebral dhe hodha hipotezën se mund të përdoret për të trajtuar dëmtimet traumatike të trurit. Mekanizmat e njohur të veprimit të mjekësisë hiperbarike mund të përdoren për trajtimin e një game të gjerë sëmundjesh”, tha Dituri.

Gjatë misionit të tij, profesori do të testojë teknologji të reja si një vegël me inteligjencë artificiale, e zhvilluar nga një koleg që mund të ekzaminojë trupin e njeriut për sëmundje dhe të përcaktojë nëse nevojiten ilaçe. /Telegrafi-Limit.al