Kryeministri Edi Rama i është nënshtruar një operacioni, në orët e vona të së dielës, në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.
Kreu i Qeverisë shqiptare ka ndjerë shqetësim shëndetësor, pas një krize akute apandesiti.
Menjëherë Rama është futur në sallën e operacionit për të kryer ndërhyrjen, e cila siç bëhet e ditur, ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe Kryeministri gëzon shëndet të plotë.
Operacioni u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata, shef i shërbimit të kirurgjisë në QSUT.
Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, ndërhyrja konsiderohet e suksesshme dhe gjendja shëndetësore e Ramës paraqitet e mirë.
Njoftimi i Kryeministrisë:
Natën e mbrëmshme, pas kryerjes së disa testeve imazherike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Kryeministri Rama u diagnostikua me appendisit akut.
Në bazë të rekomandimit të mjekëve të shërbimit të urgjences, Kryeministri iu nënshtrua operacionit për heqjen e appendisdit në orët e para të mëngjesit të sotëm. Operacioni u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë në QSUT.
Ndërhyrja konsiderohet e suksesshme dhe gjendja shëndetesore paraqitet e mirë./Limit.al