Ballina Kryesore Kategoria Superiore, Bylis e Teuta ndajnë nga 1 pikë, paqe mes Erzenit...

Kategoria Superiore, Bylis e Teuta ndajnë nga 1 pikë, paqe mes Erzenit dhe Kastriotit

Bylis dhe Teuta nuk shkuan më shumë se barazimi 2-2 mes tyre, në ndeshjen e javës së 29-të, të Superligës shqiptare. Një ndeshje që dhuroi emocione dhe spektakël, por në fund të dyja skuadrat dalin me nga 1 pikë nga ‘Adush Muça’, në duelin e mbijetesës. Si ballshiotët ashtu edhe durrsakët ndodhen në zonën e ftohtë të renditjes dhe këtë sezon po kalojnë momente të vështira, në luftë për qëndrimin mes më të mirëve. Pjesa e parë nis mirë për Bylisin, që gjen golin e avantazhit në minutën e 20-të me Santos, i cili përfiton nga mbrojtja e përgjumur e durrsakëve dhe godet topin, duke e çuar në fundin e rrjetës.

Teuta reagon dhe tenton të vendos baraspeshën dhe këtë gjë ja arrin në minutën e 36-të. Një aksion fantastik i skuadrës së Edi Martinit, me Kallakun që pason drejt Markut, e ky i fundit kroson drejt zonës dhe Lorenco Vila godet me kokë, duke rikthyer baraspeshën.

Pjesa e parë e lojës mbyllet 1-1.

Bregdetarët e nisin më mirë fraksionin e dytë të lojës dhe gjejnë golin e epërsisë në minutën e 58-të. Kombinim i mirë mes futbollistëve durrsakë dhe Lorenco Vila nuk gabon, duke realizuar dopietë personale.

Minutat e mbetura të lojës bëhen më shumë emocionuese. Në minutën e 71-të ballshiotët barazojnë edhe njëherë shifrat, me një gol spektakolar me rrofeshatë, sërish me të njëjtin autor, brazilianin Santos.

Gjithçka mbyllet 2-2 dhe ky barazim nuk i shërben asnjërës prej skuadrave, pasi mbeten ende në zonën e ftohtë të rënies nga kategoria.

Në paqe përfundoi takimi mes Erzenit dhe Kastriotit. Ndeshja për llogari të javës së 29-të të Kategorisë Superiore u mbyll 0-0. Një sfidë e vakët dhe pa shumë raste për shënim, u zhvillua në stadiumin ‘Niko Dovana’. Një përballje që shfaqi dy tablo të ndryshme. Krutanët luajtën një pjesë të parë më të mirë, ndërsa skuadra shijakase zhvilloi një paraqitje më të mirë në rifillimin e fraksionit të dytë, por asnjëra prej tyre pa ja dalë dot të zhbllokonin shifrat.

Sali bën heroin për Kastriotin në minutën e 71-të. Pas një goditje dënimi, braziliani Enck gjuan me kokë, por gardiani i krutanëve fluturon dhe devijon topin në shtyllë, e më pas gjuajtja e Kapllanit nuk gjen katërkëndëshin.

Në të 85-tën Erzeni rrezikon sërish. Një harkim në zonë nga e majta e sulmit, shkon drejt Nonatos në shtyllën e dytë, por ky i fundit nuk ia del të devijojë pak hapa larg portës.

Në fund gjithçka mbyllet pa gola. Erzeni regjistron barazim e 14-të në këtë edicion, ndërsa nuk arrin të fitojnë prej 4 ndeshjesh radhazi. Kastrioti nga ana tjetër merr 1 pikë shprese, në synimin e tyre për të qëndruar në elitë./Limit.al