Ballina ED/OP Kontradikta shkatërrimtare brenda Berishës

Kontradikta shkatërrimtare brenda Berishës

Fitim Zekthi

Politika në Shqipëri është, ka qenë prej vitesh në fakt, një lemeri pa fund, një hapësirë lufte e egër dhe e pamëshirshme për pushtet, për dominim madje edhe për asgjësim të kujtdo që është pengesë në këtë harbim për pushtet. Po të shohësh vetëm mënyrën se si flitet, sesi cilësohen kundërshtarët, se si është sjellja në jetën publike (pa llogaritur fare mënyrën e tmerrshme se si ushtrohet pushteti apo se si respektohen ligjet dhe rregullat) do të vëresh se si lakmia dhe urrejtja, vulgariteti dhe epshi janë mjetet e vetme, por edhe burgu i politikanëve.

Kryeministsri Rama shan dhe fyen opozitën, përdor një fjalor të çmendur ndaj deputetëve, shan dhe fyen gazetarët, herë bërtet dhe ulëret, herë qesëndis dhe tall. Në një rast ai tha teksa po ecte në një rrugë në Lezhë kur pa një qen që po lehte se duhet t’i thonë atij analistit të pushojë. Një herë tjetër pyeti një deputete për një leckë të lagur se ku e lagu ajo atë, apo një herë tjetër i ka thënë një gazetareje se ajo duhet të shkonte në semafor.

E majta, të majtët, komunistët, fashistët kurrë nuk kanë pasur kufizim në ndjekje të interesave të pushtetit, në ndjekje të qëllimeve të tyre politike. Ata kurrë nuk kanë pasur mëshirë apo dhembshuri, fisnikëri apo maturi. Historia e ka treguar, e tregon edhe sot, se si jo vetëm gjuha fyese, sharjet, kërcënimet, shpifjet, vulgariteti janë instrument i saj, por edhe se si jetët e njerëzve nuk kanë asfare vlerë përballë ndjekjes së pushtetit. Për ta pushteti është e shenjta e vetme. Edhe një mendimtar shumë i madh, një historian me peshë shumë të madhe i të majtës si Eric Hobsbaum arriti deri aty sa të thotë se në qoftë se do të realizohej komunizmi ia vlente të vriteshin edhe 100 milionë njerëz. Edhe një filozof shumë i rëndësishëm si Jean Paul Sartre i cili shkoi në Bashkimin Sovjetik dhe e pa vetë tmerrin e komunizmit kur u kthye në Francë e mohoi atë që pa dhe tha se komunizmi atje po ecte shumë mirë, se ai ishte një vend i begatë. Është në natyrën dhe në mënyrën se si e kupton njeriun dhe pushtetin e majta, komunistja, fashistja, kjo lloj sjelljeje.

E djathta, konservatorja është, duhet të jetë, bash e kundërta. Për këtë gjë ajo ekziston, për këtë gjë ajo ka lindur si ide dhe si lëvizje politike që në krye të herës. Tek ne, Berisha që pretendon se është opozita e vendit, lëvizja e tij e Foltores që mëton të jetë e vetmja opozitë e vendit përdor një sjellje dhe një gjuhë që është më e egër, më e pamoralshme deri edhe se sa ajo e të majtës.

Që nga viti 2021 kur Berisha nisi lëvizjen e tij të Foltores gjuha e tij nuk njeh kufi në sulmin ndaj atyre që i bëhen pengesë. Fillimisht ai e quajti kryetarin e  PD-së Basha peng, të shitur tek Rama. Më pas e quajti njeri të përfshirë në çështjen e trafikut të drogës tek “Toyota Yaris”. Më pas tha se ai ka lojëra fati në Qipro. Më pas tha se ai bashkëpunon me Taulant Ballën, se takohet me Erion Veliajn, se ai në bashkëpunim me Veliajn dhe kapter Irfanin publikuan listat e punonjësve dhe pagat e tyre për gjithë Shqipërinë. Më pas e quajti Lulzim Brava. E quajti të paburrë, e quajti, e quajti palaço, e quajti zorrë të verbër etj. Ambasadoren amerikane Yuri Kim, Berisha e ka quajtur të korruptuar, e ka quajtur McGonigal me fustan, e ka quajtur shërbëtore të Ramës, vegël të komplotit të Soros. Ambasadorin Britanik, Berisha e ka quajtur të korruptuar, të blerë me para, për të prodhuar dokumente false në favor të Ramës.

Për Enkelejd Alibeajn fillimisht tha se ai pastron para me krimin me dikë në Paraguaj. Pastaj tha se ai është Alibasha. Pastaj tha se ai është vegël e Taulant Ballës. Tani po thotë gati përditë se ka lidhje shumë të forta me krimin, se po mbron vëllain e tij kriminel dhe për këtë arsye Rama e ka marrë peng. Sali Berisha ka sulmuar ish kandidatin për bashkinë e Durrësit, Luan Hoti, duke e quajtur njeri që ka marrë para me miliona euro në tendera dhe po që punon për Ramën, ka sulmuar kandidatin e Rrogozhinës  Ferdinand Saraçi duke thënë se është i dënuar në Itali, ka sulmuar kandidatin për bashkinë e Mallakastrës, Agron Kapllanaj se merr tendera nga Rama dhe e quan Pallat Kapllanaj. Lëvizja e Foltores me njerëzit e saj, që në masë dërrmuese riprodhojnë fjalorin e Berishës, ka inxhinieruar sharje dhe sulme ndaj kujtdo deputeti, anëtari kryesie apo kundërshtari të ideve të tyre.

Është pjesë e fjalorit të përditshëm të Berishës sot sulmi ndaj Alibeajt si njeri që ka vëllanë kriminel dhe ka lidhje të tmerrshme sipas Berishës me krimin, është pjesë e fjalorit të përditshëm sulmi ndaj Bashës duke folur për Alibasha, është pjesë e fjalorit të përditshëm sulmi ndaj veglave të Taulant Ballës, të Edi Ramës etj.

Këtu nuk është çështja tek Berisha apo tek lëvizja e Foltores në kuptimin e zgjedhjes që ata kanë bërë. Ata mund të zgjedhin çdo mjet që të duan për të çuar përpara interesin dhe epshin e tyre politik. Çështja është se ata pretendojnë dhe kanë uzurpuar me këto mjete (sharjet, shantazhet, dhunën) një vend që do të duhet të ishte i një force të djathtë politike, i një force konservatore që të ishte alternativë përballë kësaj qeverisjeje të mënxyrshme të PS-së. Lëvizja e Berishës, edhe sikur Berisha të mos ishte non grata por të konsiderohej një mik i Blinken dhe Biden, nuk është alternativë dhe nuk fiton kurrë. Nuk mund të jetë alternativë kurrë një sjellje, një gjuhë dhe një narrativë e tillë politike sepse këtë gjë e bën në mënyrë më të organizuar dhe më të sistematizuar, Edi Rama.

Jo vetëm kaq por një gjuhë dhe sjellje e tillë është shkatërrimtare për vendin, për shqiptarët dhe padyshim për vetë Foltoren dhe Berishën (ndonëse kjo nuk ka rëndësi në vetvete.)

Ajo që bën Berisha dhe Foltorja janë ekstremisht të majta, ajo që bën Berisha dhe Foltorja si sjellje dhe si gjuhë politike në thelb janë totalisht komuniste.

Të djathtët besojnë se njeriu është një qenie e rrëzueshme, që bie në gjynah dhe gabim dhe që është i ngarkuar me ambicie, pasione dhe egoizëm. Të djathtët besojnë se njerëzit mund të bëhen diktatorë kryeneçë kur ata veprojnë në vende apo hapësira që nuk ka ndëshkim.

Të djathtët besojnë se qeniet e dobëta dhe të fundme gabojnë shpesh. Të djathtët besojnë se qëndrimet dhe bindjet e njerëzve janë shpesh justifikime të trurit për të mbrojtur dëshirat dhe prirjet irracionale. Kjo nuk e bën të vërtetën relative por kjo duhet të na shtyjë drejt vetë shqyrtimeve të thella dhe drejt dyshimeve të forta për çdo formë fanatizmi. Për të djathtët kushdo ka nevojë të mësojë dhe dija është diçka e thërrmuar dhe e përhapur në gjithë përvojën njerëzore. Njerëzit thjesht e mbledhin atë përmes të dëgjuarit dhe të komunikuarit. Për të djathtët shoqëria e drejtë është diçka që varet vetëm nga përpjekja morale e këtyre krijesave të dobëta dhe të fundme të cilat e trajtojnë, dhe duhet patjetër, njëri-tjetrin me respekt dhe me fisnikëri. Virtyte të tilla shpesh gjenden të rrënjosura në besimin në Zot dhe janë këto virtyte që i bëjnë familjet dhe komunitetet të jenë hapësira ku rritet qytetari i lirë. Për të djathtët respekti për krijesat më të larta të Zotit, siç është njeriu, respekti për dinjitetin e kujtdo është detyrim. Për të djathtën çdo qenie ka dinjitet, cilido qoftë ai, madje një arsye themelore për politikën është fakti se çdo jetë ka vlerë të barabartë (duke nisur nga më i dobëti) dhe çdo person ka dinjitetin e tij.

Duke folur dhe duke u sjellë në mënyrën që përmendëm më sipër lëvizja e Foltores as do t’ia dijë për asgjë nga parimet dhe nga rrënjët e parimeve të të djathtës. Për ta ka njerëz të pagabueshëm, ka njerëz jeta e të cilëve vlen më shumë se e të tjerëve, për ta ka njerëz që dinë të vërtetën në mënyrë absolute dhe askush nuk mund t’i kundërshtojë. Kur i kundërshton atëherë meriton të trajtohesh si qenie që nuk ke dinjitet apo që je i zhveshur nga humanitetet, etj. Nuk ka asnjë dallim këtu me asgjë nga e majta, komunistja, fashistja etj.

Ne kemi shpresuar që në ditët e para, që në 1990 se mund të ngrihet, mund të jetojë, mund të mbijetojë diçka me nuancë të të djathtës dhe të konservatores, e cila është mundësia e vetme për alternativë dhe mundësia e vetme që ky vend të ketë një perspektivë politike dhe kombëtare. Kjo që bën po bën Foltorja është shkatërrim i trefishtë i vendit, sepse nuk ka alternativë, të të djathtës, pasi ajo pretendon të zërë vendin e të djathtës nga një pozicion ekstremisht i majtë dhe i vetes, sepse gradualisht do të shkoqet, thërrmohet, do shtojnë vuajtjet e veta dhe do të bjerret./Liberale.al