Manchester United i bën autogol vetes, në ndeshjen e parë të fazës çerek-finale, në Europa League ndaj Sevillas.
‘Djajtë e kuq’ shpërdoruan avantazhin e dyfishtë, duke pësuar dy gola në minutat e fundit, të shënuar nga vetë lojtarët e United. Skuadra e Ten Hag e nisi sfidën në mënyrë të shkëlqyer, duke realizuar dy herë me Sabitzer.
Austriaku shënoi fillimisht në minutën e 14-të, e më pas realizoi edhe golin e dytë në minutën e 21-të.
Kur gjithçka po shkonte në mënyrën e duhur për ekipin nga Manchesteri, Sevilla merr iniciativën dhe sulmon në minutat e fundit të lojës. Në dy daljet përpara të spanjollëve, ata arrijnë të shënojnë, falë dy autogolave të lojtarëve të United. Malacia dhe Maguire ishin të pafat, kur në minutat 84 dhe 92 devijuan topin drejt portës së tyre. Akti i parë u mbyll 2-2.
MANCHESTER UNITED-SEVILLA (VIDEO)
Juventus mposhti Sportingun e Lisbonës, në Torino, me shifrat 1-0. Bardhezinjtë vuajtën në pjesën e parë, ku rrezikuan në disa raste të pësonin. Në fraksionin e dytë të lojës skuadra e Allegrit arriti të marrë veten, e të shënojë në minutën e 73-të me Gattin, në një ndeshje të komplikuar për ‘Zonjën e vjetër’. Momente paniku shoqëruan këtë sfidë, kur portieri i Juves Szczesny shfaqi probleme me zemrën dhe ndjeu dhimbjen në kraharor, duke u detyruar të lërë fushën e lojës në minutën e 44-t.
Fatmirësisht polaku aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
JUVENTUS-SPORTING LISBONË (VIDEO)
Feyenoord hakmerret ndaj Romës, për finalen e Conference League, të humbur në Tiranë. Holandezët triumfuan me rezultatin 1-0 ndaj skuadrës së Jose Mourinhos. Lorenzo Pellegrini shpërdoroi një 11-metërsh, në minutën e 43-të të takimit për italianët. Feyenoord ndëshkon Romën në të 53-ën, me golin e vetëm të shënuar nga Wieffer.
Në takimin tjetër të Europa League, Bayer Leverkusen u ndal në një barazim surprizues 1-1 me belgët e Royale Union./Limit.al