Ballina ED/OP Nuk është garë për Tiranën, është garë për partinë!

Nuk është garë për Tiranën, është garë për partinë!

Nga Desada Metaj

Në vorbullen e një fushate të saponisur, tallavaja elektorale e Kryeministrit dhe copëzat e opozitës “së bashkuar” janë dëshpërimisht alternativa e vetme per qytetarët shqiptarë.

I lodhur dhe me ide banale, me të cilat dikur tallej keqas, Edi Rama nuk e fshehu dot mungesën e dëshirës për të qenë pjesë aktive e një fushate për të cilën nuk ka marre mundimin as të shpenzojë fondet e vëna në dispozicion nga shteti. Në vitin e dhjetë të pushtetit, më shumë se nga opozita, ai duket i lodhur dhe i gërryer nga luftrat dhe betejat e brendshme për rivalitet brenda PS. Si të mos mjaftonin burgosjet dhe hetimet për disa ish-ministra, i duhet të zgjidhë dhe mosmarrveshjet, betejat mes krijesave të veta, që tashmë nuk përpiqen më që t’i pëlqejnë shefit të madh. Por qartas po mendojnë dhe projektojnë atë që vjen më pas. Me gjjthë të vërtetat dhe teoritë e konspiracionit (të cilat për hir të së vërtetës pëlqehen masivisht), fakt mbetet që zgjedhjet e ardhshme lokale më shumë se përballje alternativash mes palëve do të shërbejnë për t’i treguar Ramës dhe jo vetëm, se cili meriton të jetë pasardhësi i shefit të madh. Dhe Tirana, padyshim mbetet sheshbeteja më e madhe politike, ku rivaliteti i Erion Velisë qartas nuk është me kandidatët që ka përballë, por me ata që ka në krah. I ravijëzuar si njeriu më i pushtetshëm pas Edi Ramës, tashmë sfida e tij nuk mbetet fitorja në Tiranë, por fitorja në 6 bashkitë e qarkut që ai mbulon. Por jo vetëm kaq. Sa më e thellë të jetë diferenca mes tij dhe atyre që konkurrojnë përballë tij, aq më i lartë do jetë kuotimi i tij në bursën politike të PS. Ndaj për këtë Veliaj qartas nuk po kursehet duke bërë miq dhe partnerë edhe atje ku Rama ka beteja të papërfunduara apo të pafituara. Se sa e xhelozon kjo Ramën mbetet per t’u parë. Sepse më shumë se konspiracioni, në ekuacionin e politikës së ditës marrin vlerë faktet dhe ngjarjet e përditshme. Në PS e Ramës kanë mbetur ende 2-3 figura që dhe pse jo shumë të dukshme mund të jenë aq makiaveliste sa t’i rrëzojnë Veliajt suksesin e ngritur me aq mund. Sepse dhe ata e kuptojnë se sa më shumë forcohet Veliaj, aq më e vështirë do jetë dhe për vetë Ramën të përballet me krijesën e tij. Dhe duket se dialektika politike në këtë rast gjen zbatim dhe në Shqipërinë tonë.

E njëjta dinamikë, por në një formë disi më primitive shfaqet në kampin opozitar. E përçarë dhe me mungesë të qartë orientimi politik dhe ideologjik, opozita endet mes projektimit të ëndrrave në diell dhe asaj çfarë pritet të ndodhë pas 14 majit me PD.

Formacioni i drejtuar nga Sali Berisha ka nisur një fushatë agresive mediatike, me premtime groteske dhe formë të kopjuar nga fushata e fundit e zgjedhjeve të përgjithshme. Të pretendosh se me një PD të copëtuar do fitosh Tiranën që e humbe në 25 prill ku demokratet ishin të bashkuar dhe me afër fitores se kurrë është në rastin më të mirë verbësi politike. Dhe në rastin më të keq një gënjeshtër që u serviret militantëve për t’i mbajtur të karikuar deri në 14 maj. Shanci i humbur për të nxjerrë një kandidat të pranuar nga dy grupimet në PD nuk mund të zëvendësohet me përfaqësimin e copëzave. Të cilat pavarësisht madhësisë apo fuqisë është e qartë që veç e veç nuk mjaftojnë për të mundur Erion Velinë. Dhe kësaj të vërtete mund t’i fshihesh përkohësisht me demagogji dhe fushatë me ngjyra, por jo për shumë gjatë. Është e qartë që dhe mes demokratëve gara është për të marrë PD dhe jo Tiranën. Grupimi që drejtohet nga Berisha dhe që pretendon shumicën, që është më i organizuar, më prezent në media dhe më agresiv, nuk e ka fshehur ndonjëherë qëllimin final të kësaj fushate. Të mundë dhe zhdukë nga politika ata që i bëjnë hije Sali Berishës. Dhe janë në të drejtën e tyre për ta bërë këtë për sa kohë përballë për kaq kohë kanë patur deputetë dhe drejtues politikë, një pjesë e të cilëve janë dhe mbetën të paorientuar dhe të paqartë politikisht se ku janë dhe çfarë përfaqësojnë. Të ndodhur përballë presionit të përditshëm të Sali Berishës për ta tkurrur sa më shumë grupin kundërshtar me çdo formë dhe mënyrë, të trullosur dhe të paorganizuar nuk mund ta fshehësh faktin që disa prej tyre gjatë kësaj periudhe kanë rënë “dëshmorë” të Foltores. Duke shpresuar për një bashkim hipotetik apo një hapje të PD, disa mbeten rrugës viktima të mosnjohjes së kundërshtarit brenda të njëjtit formacion politik. Sepse Berisha nuk mundet me dredhi dhe intriga. Për to, ai pa dyshim është më i zoti se të gjithë copëzat e PD ndër dhjetvjeçarë të marra së bashku. Nëse je në PD dhe beson se rruga euroatlantike është ajo e duhura për të, atëherë kjo është ndarje përfundimtare me Berishen. Përndryshe, nëse do që edhe të jesh i mirë me Amerikën dhe të të pëlqejë lideri i Foltores, duket se nuk ke kuptuar asgjë nga historia politike e këtyre 30 viteve në Shqipëri. Sepse Berishës nuk i duhen ata që e duan atë sa duan Amerikën. Madje me aq sa e njoh kam përshtypjen se mund të tallet keq me ta. Berishës i mjafton copa e vet në PD. Keto zgjedhje i duhen jo për të fituar Tiranën, por për të mbajtur të bashkuar copën e tij të PD. Ndërsa pjeses tjetër në PD, nëse do që të mbijetojë i duhet të luftojë fort për të qenë e qartë në identitetin e saj politik dhe atë që përfaqëson. Kështu që dhe për këtë grupim, sfida është të rishpikë veten për të fituar besimin e atyre që e duan PD pa Berishën.

Sepse, qartas kjo e 14 majit nuk është gara për Tiranën, por gara për partinë. Dhe ky ekuacion me disa të panjohura ka vetëm një zgjidhje përfundimtare. Njerëz dhe ide origjinale. Se per kopje dhe miniatura, dalin dhe teprojnë këta që janë në treg./Panorama.com.al