Ballina Shëndet Leuçemia akute- Çfarë është, shkaqet dhe simptomat e saj

Leuçemia akute- Çfarë është, shkaqet dhe simptomat e saj

Leuçemia akute përfaqëson tumorin malinj të qelizave të bardha të gjakut, pra leukociteve. Normalisht, palca e kockave përmban qeliza të papjekura, që me kalimin e kohës shndërrohen në qeliza të pjekura. Qelizat e papjekura janë të tipit limfoid ose mieloid. Qelizat limfoide shndërrohen në qeliza të bardha të gjakut, ndërkohë që qelizat mieloide mund të zhvillohen dhe të japin tre tipe qelizash të pjekura, që janë: qelizat e kuqe të gjakut , qelizat e bardha dhe pllakëzat e gjakut. Në rastin e leuçemisë këto shndërrime nuk ndodhin në rrugën normale. Në varësi të llojit të qelizës që ka devijuar nga pjekja normale, dallohen dy forma të ndryshme të leuçemisë akute:

1. Leuçemia limfoide akute (LLA):Në këtë formë, qelizat limfoide të papjekura shndërrohen në qeliza të bardha të papjekura, jonormale, që quhen limfoblaste. Kjo formë haset kryesisht tek fëmijët nën 5 vjeç dhe personat e moshuar.

2. Leuçemia mieloide akute(LMA): Në këtë formë, qelizat mieloide të papjekura shndërrohen në një tip qelizash të bardha të papjekura që quhen mieloblaste. Madje, ndonjëherë ato shndërrohen në qeliza të bardha, të kuqe dhe trombocite të papjekura, jonormale. Kjo formë haset kryesisht tek personat e rritur.

Shkaqet

Shkaqet e pjesës më të madhe të formave të leuçemisë janë ende të panjohura. Gjithsesi, egzistojnë disa faktorë që konsiderohen si faktorë të rrezikut për shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Ndër to përmendim: viruset, lëndët helmuese, duhanpirjen, veçanërisht tek personat mbi 60 vjeç, rrezatimin radioaktiv, kimioterapinë ose trashëgiminë familjare për këtë sëmundje. Meshkujt rezultojnë më të prekur se femrat, prej saj.

Simtomat

Pacientët me leuçemi akute manifestojnë një sërë simptomash, të cilat janë shkaku i paraqitjes së tyre tek mjeku. Këto simptoma janë:

• Dobësi e theksuar trupore

• Rënie në peshë

• Anemi (pakësim i rruazave të kuqe të gjakut), që reflektohet me: zbehje të lëkurës, palpitacione (rrahje të shpejta dhe të forta të zemrës), marrje mendsh dhe vështirësi në frymëmarrje.

• Inflamacione në hapësirën e gojës

• Temperaturë e vazhdueshme, me natyrë të panjohur

• Zmadhim i gjendrave limfatike

• Zmadhim i mëlçisë

• Zmadhim i shpretkës

• Dalja e puçrrave në lëkurë

• Gjakderdhje të vazhdueshme nga hunda dhe nga mishrat e dhëmbëve, si pasojë e dobësimit të aftësive mbrojtëse të organizmit

• Trashja (fryrja) e mishrave të dhëmbëve

Në ditët e sotme egziston mundësia e shërimit të leuçemisë akute, por vetëm pas kryerjes së kimioterapisë intensive dhe të përsëritur, sipas protokollit përkatës. Fëmijët e prekur nga forma limfoide e leuçemisë akute kanë një ecuri më të mirë lidhur me mbijetesën, pasi pjesa më e madhe e tyre mund të shërohen. Tek personat e rritur ecuria është më e rezervuar. Tek pacientët me leuçemi akute, shkalla e formimit të qelizave normale të gjakut në nivelin e palcës së kockave ulet ndjeshëm, si fillim për shkak të leuçemisë dhe, më pas, prej kimioterapisë intensive dhe të përsëritur. Kjo situatë mund të çojë në aplazi të palcës, që nënkupton mosprodhimin prej saj të tre serive të qelizave të gjakut: eritrocitet, leukocitet dhe trombocitet. Kjo përfaqëson fazën më delikate dhe më të rrezikshme për pacientin, sepse në këtë moment sistemi i tij mbrojtës është tepër i dobët.