Supersfida e javës së 30-të mes Liverpool-it dhe Arsenal-it u mbyll në barazim 2-2. ‘The Reds’ i prishin punë londinezëve, në luftën e tyre për titullin kampion, duke i hequr 3-pikëshin nga duart në minutat e fundit të takimit. Skuadra e Artetas zhbllokoi rezultatin në minutën e 8, me Martinellin. Gabriel Jesus dyfishoi shifrat pas 20 minutash, për kryesuesit e Premier League.
Salah ngushtoi diferencën në minutën e 42. Të besuarit e Jurgen Klopp barazuan sfidën në minutën e 87 me Firmino.
Gjatë takimit pati dhe një moment tensioni. Protagonist ishin Granit Xhaka dhe Alexander-Arnold. Mbrojtësi i Liverpool ktheu një top prapa tek portieri Alisson. Ndërkohë që pasoi, Xhaka i vjen nga prapa dhe e shtyn. Arnold nuk e priti mirë këtë shtyrje dhe iu kthye Xhakës, i cili pati një moment konfrontimi me lojtarin e Liverpool. Kjo bëri që tifozët e ‘The Reds’ në stadium të elektrizoheshin.
Në fund gjithçka mbyllet në baraspeshë 2-2. Ky rezultat i shkon përshtat Manchester City-t, që nga ana tjetër mposhtën në transfertë Southampton me shifrat 1-4./Limit.al