Ballina Kryesore E paprecedentë, ndeshja e Superligës Kastrioti-Bylis anullohet pasi u kërcënuan me jetë...

E paprecedentë, ndeshja e Superligës Kastrioti-Bylis anullohet pasi u kërcënuan me jetë arbitrat

Një ngjarje e paprecedentë dhe e rëndë ndodhi këtë fundjavë, në Kategorinë Superiore të futbollit. Ndeshja Kastrioti-Bylis e programuar për t’u zhvilluar ditën e dielë në stadiumin e qytetit të Kamzës, nuk u zhvillua. Arsyeja e mos zhvillimit dhe organizimit të këtij takimi, u bë kërcënimi me jetë ndaj arbitrave që do të gjykonin këtë sfidë. Lidhur me këtë situatë të rëndë ka reaguar edhe vetë Federata Shqiptare e Futbollit, me një komunikatë zyrtare

Reagimi i FSHF-së: Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë komunitetin e futbollit dhe opinionin publik se ndeshja Kastrioti-Bylis e planifikuar për t’u zhvilluar ditën e sotme në stadiumin e Kamzës nuk do të zhvillohet.

Ditën e djeshme arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar dhe kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente. Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme. Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla.

Të gjendur në këtë situatë, FSHF bën me dije se do të presë deri në fund zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme dhe do të marrë vendimet e duhura për të siguruar ambientin e sigurt në panoramën futbollistike shqiptare.

FSHF thekson në deklaratën për shtyp, se një javë më parë arbitrat e ndeshjes Kastrioti-Laçi janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit./Limit.al