Ballina Diaspora Sheshe, rrugë, metro dhe shkolla në Francë me emra shqiptarë

Sheshe, rrugë, metro dhe shkolla në Francë me emra shqiptarë

Nga Mentor HOXHA – Paris

Autori i shkrimit, Mentor Hoxha

Lidhjet shqiptaro-frënge kanë qenë historikisht të shkëlqyera. Ato datojnë që në kohë shumë të hershme. Shteti francez ka dekoruar me dekoratën e lartë të Legjionit të Nderit mbi 100 personalitete shqiptare apo me origjinë shqiptare (presidentë, kryeministra, mbretër, princër, ministra, shkrimtarë, artistë, akademikë, përkthyes etj.). Gjithashtu ka pagëzuar me emra shqiptarësh disa sheshe, rrugë, shkolla dhe metro në Paris dhe në qytete të tjera franceze. Këto pagëzime me emra shqiptarësh nisin që nga viti 1880.

PLACE DE SKANDERBEG NË PARIS

Place de Skanderbeg është një prej shesheve më të mëdha në Paris. Ndodhet në qendër të Parisit. E mban këtë emër që nga viti 1980. Në hyrje të tij në një tabelë shkruhet në frëngjisht: PLACE DE SKANDERBEG 1405-1469, HEROS ALBANAIS. U pagëzua me emrin e Heroit Shqiptar me një dekret komunal më 1978. U inagurua më 6-7 maj 1980 ku mori pjesë diaspora shqiptare e Parisit dhe disa personalitete të larta franceze. Më parë ky shesh quhej Villa Lumiere. Vendimi u mor nga Këshilli Bashkiak i Parisit me kryebashkiak, Z. Jacques Chirac, dy herë President i Francës. Me këtë vendim u plotësua kërkesa dhe dëshira e madhe e shqiptarëve të Francës dhe u bë më e njohur figura e Skënderbeut në arenën ndërkombëtare, pasi Parisi është kryeqyteti më i vizituar në botë. Krahas, Shirak, një ndihmë të madhe dha edhe Komisioni Kulturor i Bashkisë i kryesuar nga Roger Roman dhe Këshilli Bashkiak me Bernard Rocher. Vendimi u mor pas një pune gati 10 vjeçare të nisur që në vitin 1970 nga diaspora shqiptare e Parisit, ku kontributin më të madh e ka publicisti antikomunist, Lec Shllaku, sipërmarrësi i njohur antikomunist nga Dibra me banim në Itali, Isa Ndreu, nipi i mbretit shqiptar, Skënder Zogu, por edhe shumë personalitete të tjera të mërgatës shqiptare në tokën franke. “Place Skanderbeg” është një rrethrrotullim i vendosur në lagjen Pont-de-Flandre të rrethit të 19 të Parisit. Ndodhet buzë Aubervilliers dhe arrondissementit të 18 të Parisit, duke zënë këndin e djathtë veriperëndimor të qarkut 19. Është në formë vezake me gjatësi (jug-veri) rreth 130 metra dhe gjerësi (lindje-perëndim) rreth 110 metra. Një rreth rrotullim i madh me pemë zë qendrën e tij. Në veriperëndim bashkohet me rrugën Victor Hygo dhe në verilindje me rrugën Madeleine-Vionnet. Te ky shesh shkohet direkt nga linja e autobuzëve RATP 35 dhe 54, La Traverse Ney -Flandre, T3 ose në distancë nga linja e metrosë në stacionin Porte de la Villete. Mund të shkohet edhe me linjën 8 të tramvajit.

Emri dhe figura legjendare dhe epokale e Skënderbeut është përjetësuar edhe në dhjetra libra të botuar në Francë (monografi, esse, romane, prozë, poezi, dramaturgji etj.). Disa nga penat më të ndritura të kombit francez e kanë bërë personazh kryesor në veprat e tyre letrare, historike dhe  studimore. Ai udhëhoqi për një çerek shekulli (fundi i shek. XIV- fundi i shek. XV) qëndresën shqiptare antiosmane duke fituar 25 beteja përballë perandorisë më të fuqishme të kohës. Jehona e kësaj qëndrese arriti deri në Francë duke frymëzuar penat më brilante të saj. Në veprën e Jacques de Lavardin me titull “Histoire de Georges Castriot, surnommé Skanderbeg, roy d’Albanie” (Éd.1621) janë botuar tri sonete mjaft të bukura për Skënderbeun. I pari është nga liriku i madh dhe udhëheqësi i Plejadës frënge, Pierre De Ronsard (1524-1585), i dyti nga dijetari Florest Krestien dhe i treti (një odë) nga poeti Amadis Jamin, mik e pasues i Ronsarit, përkthyes i Iliadës së Homerit. Figura e Skënderbeut është trajtuar më pas në poemën Les Tragiques të Agrippa d’Aubigne, në veprën Les Essais(1544) të Michel de Montaigne (shkrimtar dhe gjuhëtar i madh, 1533-1592), në veprën historiko-filozofike Sprozë për doket dhe shpirtin e kombeve (Paris, 1756) të Volterit (ideologu më i madh i iluminizmit frëng), në romanet Skënderbeu(Paris, 1644) dhe “Skënderbeu ose aventurat e princit të Shqipërisë” (Paris, 1732) të shkrimtarit të njohur Yrben Shevro, etj. Voltaire thekson se sikur perandorët grekë (bizantinë) të ishin si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes do të kishte qëndruar në këmbë. Camille Paganel i kushtoi librin “Histoire de Skanderbeg, Héroes de l’Europe chrétiene” (Éditions du Trident).

RRUGË, SHKOLLA DHE SHESHE ME EMRIN E NËNË TEREZËS

Nobelistja dhe shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza apo Mère Teresa (1910-1997) siç shkruhet në frëngjisht është shqiptarja më e njohur në Francë. Emrin e saj e mbajnë mbi 100 rrugë, sheshe, shkolla, libra, kisha, famulli dhe qendra humanitare, duke u bërë ndër personalitetet më të vlerësuara në Francë. Shoqatat me emrin e saj kanë ndihmuar në strehim edhe mjaft refugjatë shqiptarë në Francë. Institucionet publike dhe private në Francë me emrin e Nënë Terezës (fituese e Çmimit Nobel për Paqe në 1979) kanë njohur një rritje të madhe, veçanërisht pas shenjtërimit të saj më 19 tetor 2003 në Romë nga Papa Gjon Pali i Dytë. Për Nënë Terezën mbahen mesha të shumta në mbarë dioqezat dhe kishat katolike të Francës. Ajo ka miliona adhurues në Francë. Presidenti francez, Jacques Chirac (Zhak Shirak, 1932-2019) ishte ndër admiruesit dhe ndihmuesit më të mëdhenj të saj.

Emrin e Nënë Terezës e mbajnë mbi 10 rrugë në Francë, të cilat gjenden në Paris (Rue Mère Teresa) dhe në qytete e komuna franceze, si: Rue Mère Teresa në Nice, Rue Mère Teresa në Avignon, Rue Mère Teresa në Essey-lés-Nancy, 54270, Rue Mère Teresa në Saint-Dié-des Vosges, 88100, Rue Mère Teresa në Olonne-sur-Mer 85340, Rue Mère Teresa në La Seyne Sur Mer, 83500, Rue Mère Teresa në Saint -Herblain 44800, Rue Mère Teresa në Le Rheu 35650, Toules, Rue Mère Teresa në Moirans-en Montagne 39260, Rue Mère Tresa në Toulouges Perpignan, Oçitanie, 66350, Rue Mère Teresa në Beaurains, 62217 etj. Brenda këtyre rrugëve ka pallate gjigande, parqe, shkolla, universitete, muzeume, biblioteka, institucione të rëndësishme kulturore, qendra tregtare, supermarkete, pika karburanti etj.

Emrin e Nënë Terezës e mbajnë mbi 10 institucione private arsimore (shkolla fillore dhe kolegje) në disa qytete franceze, si: Ecole et Collège Mère Teresa në Villeurbanne, Lyon, École Mère Teresa në Le Marais, 60710 Chevrières, Collège Mère Teresa në Montaigu Vendée, Écoleprivée Mère Térésa në Saint-Marsault, Poitou-Charentes, École Primare privée Mère Teresa (Shkollë fillore private) në Roubaix, 44 rue Rollin, 59100, École primaire privée Mère Térésa në La Foret -sur Sèvre, 79380 (Académie de Poitiers) etj.

Emrin e saj e mban edhe një shesh në Ajacio, Place Mère Teresa” (Sheshi Nënë Tereza), që ndodhet përballë Katedrales së Mëshirës. E mbajnë gjithashtu shumë shoqata humanitare, të cilat presin, strehojnë dhe ndihmojnë financiarisht në strehim njerëzit më në nevojë (fëmijë të braktisur dhe të pastrehë, refugjatë, gra të divorcuara dhe pa asnjë përkrahje etj.). Me emrin e saj ka me dhjetra kisha, paroisse (famulli) dhe maison paroissiale (shtëpi famullie) që ndodhen në të gjithë Francën.

METRO, SHESHE DHE RRUGË ME EMRIN E MARKO BOÇARIT

Marko Boçari, apo Márkos Bótzaris (1788-1823) siç shkruhet në frëngjisht është një tjetër personalitet me origjinë arvanitase (shqiptare) i nderuar nga shteti francez. Ai është është Hero i Revolucionit Grek. Lindi në fshatin Sul, një nga fiset udhëheqëse në Epir. U vra duke luftuar kundër pushtuesve osmanë më 9 gusht 1823 në Mesolongji në Greqi teksa sulmoi çadrën e komandatit të ushtrisë osmane, pashain nga Shkodra Mustafa Bushati (shqiptar i myslimanizuar). Është varrosur në Kopshtin e Heronjve në Mesolongji. Skulptori francez David d’Anzher krijoi për të një varr monumental me një statujë, të cilin ia dhuroi Greqisë. Këtë vepër e shkatërruan, e çuan në Francë, e rikthyen, por nuk e vendosën kurrë mbi varrin e Marko Bocarit. Së fundi, disa ardhurues të Boçarit, e ngritën para ndërtesës së Parlamentit të vjetër të Greqisë. M. Boçari la në dorëshkrim “Fjalorin e greqishtes popullore dhe të arvanites së thjeshtë”. Ky fjalor u dorëzua në maj 1819 në Bibliotekën Kombëtare në Paris nga diplomati i famshëm francez, François Pouqueville (1770-1839), shkrimtar dhe konsull i Francës pranë pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës në Janinë. Në fletën e parë është shkruar në frëngjisht me shkrim dore: Ce lexique est ecrit de la main de Marc Botzari á Corfou devant moi. Pouqueville. (“Ky fjalor është shkruar nga dora e Marko Boçarit në Korfuz përpara meje. Pouqueville). Emrin e Marko Boçarit e mban një metro dhe rrugë në Paris, si dhe një shesh i vogël në qytetin e Strasburgut në Francë.

Metro Botzaris (Metro Boçari) në Paris është një stacion në Linjën 7bis në rrethin e 19-të. Ka dy platforma anësore. Emri i detyrohet vendndodhjes së saj në rrugën Botzaris. Më 3 dhjetor 1967, stacioni u transferua në linjën 7 bis. U hap më 18  janar 1911 si pjesë e një dege të linjës 7 nga Louis Blanc në Pré-Saint Gervais. Më 25 prill 2003, stacioni u rinovua dhe u modernizua si pjesë e programit “Rinovimi i Metrosë” të RATP. Stacioni ka një hyrje të vetme në Guimard në rue Botzaris që të çon në të djathtë të skajit juglindor të Parc des Buttes-Chaumont. Përballë metro Botzaris, ndodhet një ndërtesë shumë e bukur. Në 2019, stacioni u përdor nga 993,450 pasagjerë, duke e bërë atë të 292-tin më të ngarkuar në rrjetin e Metro nga 302 stacione. Në 2020, stacioni u përdor nga 511,339 pasagjerë në mes të pandemisë, duke e bërë atë të 290-tin më të ngarkuar të rrjetit të metro me 305 stacione.

Rue Botzaris (Rruga Boçari) në Parisndodhet në rrethin e 19. Fillon në kryqëzimin e Avenues Simon Bolivar me rue Pradier dhe mbaron në 41, rue de Crimée. Është 560 metra e gjatë dhe 24 metra e gjerë. U hap në 1862. Fillimisht u njoh si rue des Balettes et des Petits Chaumont. Në 1863 u quajt “Rue de la Vera-Cruz”. Emrin e Boçarit e mori në vitin 1880. Brenda kësaj rruge ka ndërtesa dhe vende të mrekullueshme dhe historike, si Parc des-Buttes-Chaumont dhe Villa du Parc që fillon në nr.10. Në Parc des-Buttes-Chaumont ndodhet Paneli i Historisë së Parisit. Në këtë rrugë ka qenë edhe Rassemblement des Tunissiens de France (RTF), Shtëpia e shoqatave tuniziane në Francë dhe seksioni francez i Tubimit Kushtetues Demokratik (RCD), partia në pushtet në kohën e diktatorit Ben Ali. Gjatë Luftës së Parë Botërore, një predhë shpërtheu më 14 prill 1918 në 72 rue Botzaris. Më 12 shkurt 2016, hyrja e Guimard në rue Botzaris u rendit si monument historik.

Square Markos- Botzaris në Strasburg është një shesh i bashkangjitur me rrethin e Qendrës. Fillon në në Broglie dhe përfundon në fundin e kalasë Schoepflin. Brenda sheshit Botzaris ndodhet Opera e Strasburgut, e rrethuar nga ndërtesat e ish shkritores së topave të Strasburgut. Në vitin 1988, me rastin e dymijëvjeçarit të Strasburgut, Tomi Ungerer projektoi shatërvanin e Janusit (ose Lindjen e Qytetërimit) që zë qendrën e sheshit. Monumenti është i stolisur me kokën e Janusit, e cila simbolizon identitetin e dyfishtë alzastik dhe sodit të kaluarën dhe të ardhmen. Pjesa e ujësjellësit përbëhet nga 5000 tulla murature rreth një strukture betoni të armuar. Pedimoni mban një mbishkrim të dyfishtë në latinisht dhe frëngjisht: “Argentoratum MM”, në njërën anë, “Strasburg 2000” në anën tjetër.

RUES DES ALBANAIS – RRUGA E SHQIPTARËVE

Rues des Albanais (Rruga e shqiptarëve) ndodhet në Orelan të Francës. Historinë e kësaj rruge e dëshmon një artikulli i botuar te gazeta franceze “Le Gaulois” (25 janar 1913) me titull “Albanais d’hier et d’aujourdh’hui” (Shqiptarët dje dhe sot), që e ka përkthyer dhe publikuar, Aurenc Bebja në blogun e tij. Në këtë artikull shkruhet: Po flitet shumë për Shqipërinë në këtë moment dhe simpatitë që ekzistojnë midis këtij vendi të vogël dhe Francës sonë të dashur nuk datojnë nga sot. Dëshmon detaji i vogël i mbështetur në topografinë lokale.Gjendet në Orléans, në qendrën më të vjetër të qytetit, një rrugë e çuditshme dhe mjaft piktoreske që quhet “Rruga e Shqiptarëve -Rue des Albanais”. Ky emër ngjall kujtimin e kontigjentit të luftëtarëve të guximshëm që erdhën, në vitin 1429, përmes brigjeve të Adriatikut, të ndihmonin Jeanne d’Arc me qëllim çlirimin e qytetit. Fitimtarë, shqiptarët u vendosën dhe krijuan familjet e tyre në Orléans, në lagjen që ka ruajtur emrin e tyre.Ndoshta në damarët e shqiptarëve të dikurshëm ka rrjedhur gjak francez, sepse askush nuk mund ta mohojë se në shekullin e trembëdhjetë, Bohemond, princ i Tarantos dhe mbret i Napolit, ishte djali i të famshmit Robert Guiscard, që rrethoi Janinën dhe largoi të pabesët nga Shqipëria. Shumë nga shokët e tij u vendosën atje. Pra, këto janë kujtimet e mëdha historike që na mundëson pamja e një rruge të vogël “Rruga e Shqiptarëve – Rue des Albanais”, e humbur në një cep piktoresk të një qyteti të vjetër provincial.”

SHQIPTARËT NË PANTEONIN FRANCEZ 

Krahas shesheve, rrugëve, shkollave dhe metrove, shqiptarët  janë bërë edhe pjesë e Panthéonit (Panetonit) Francez ku prehen disa nga burrat dhe gratë më të famshme të Francës dhe të botës, si Voltaire (1971), Jean-Jacques Rousseau (1794), Jean-Baptiste Papin (1809), Victor Hugo (1885), Théophile-Malo de La Tour d’Auvergne-Corret (1889), Lazare Carnot (1889), Émile Zola (1908), Léon Gambetta (1920), Jean Jaurès (1924), Jean Moulin (1964), Marie dhe Pierre Curie (1995), Alexandre Dumas (2002), etj. Midis tyre spikat edhe Girolamo Luigi Durazzo (Jérôme Louis François Durazzo, 1739-1809), personalitet italian i shekullit të XVIII me kombësi franceze dhe origjinë shqiptare nga qyteti i lashtë i Durrësit. Ishte Dozh (President) i Republikës së Ligurisë, i cili hyri në shërbim të Napoleonit I. Urna me zemrën e tij ndodhet në katin e nëndheshëm të Panteonit që nga viti 1809. Krahas këtij vlerësimi, ai ka marrë nga Preside t). nti i Francës edhe Dekoratën Officier de la Légion d’honneur (Oficier i Legjionit të Nderit).