Ballina Kryesore Jennifer Lopez nxori në treg pijen e saj alkoolike, por pse të...

Jennifer Lopez nxori në treg pijen e saj alkoolike, por pse të gjithë fansat iu kthyen kundër?

Gjithnjë e më shumë të famshmit po shfrytëzojnë influencën e tyre për të nxjerrë në shitje produktet që kanë firmën e tyre.

Nga linjat e makeup-eve tek shampoot, veshjet e së fundmi edhe pijet alkoolike. Tek këto të fundit Kendall Jenner lançoi produktin “818 Tequila”, George Clooney është bashkëthemeluesi i “Casamigosa”, Dwayne Johnson prezantoi tekilën “Teremana” për fansat dhe John Legend krijoi markën e verës “LVE”.

Por kur Jennifer Lopez njoftoi për kompaninë e saj të re të quajtur Delola, e cila shet tekila të gatshme, vodka dhe amaro spritz, pa gluten dhe me pak sheqer, ku pijet mund të shijohen me akull, direkt nga shishja, fansat dolën kundër.

Menjëherë pasi u njoftua nisja, fansat bënë një pyetje: pse? Pse J.Lo, një avokate e një jetese të shëndetshme që foli hapur për vendimin e saj për të shmangur alkoolin, doli me një linjë produktesh të tilla?

Në një intervistë me People, Lopez pranoi se nuk është një “pijedashëse e madhe”, por gjithashtu tha se kënaqet me “koktejet e rastêsishme që pi”, dhe kjo sipas saj është një nga arsyet pse ajo krijoi Delola: kokteje që shijojnë shumë, por nuk janë të pashëndetshëm.

Fansat u hutuan gjithashtu nga sipërmarrja për shkak të bashkëshortit të saj Ben Affleck, i cili po shërohet nga varësia ndaj alkoolit. Natyrisht, të kesh një bashkëshort që s’pi alkool nuk do të thotë që duhet të shmangësh vetë alkoolin dhe shumë njerëz që kanë partnerë të rikuperuar pinë ose punojnë në industri të lidhura me alkoolin. Por kjo është parë si një arsye më shumë për të kritikuar këngëtaren. Megjithatë siç thonë mjeshtrat e marketingut edhe antireklamat janë reklamë./limit.al