Ballina Kryesore “A keni patur ndonjë rast kur ju ka ndihmuar Zoti?” Neurokirurgu Kita...

“A keni patur ndonjë rast kur ju ka ndihmuar Zoti?” Neurokirurgu Kita Sallabanda tregon historinë mbresëlënëse

Mira Kazhani: A ke konstatuar ndonjë rast kur ka ndërhyrë Zoti? Edhe kur ke parë që nuk ka asnjë shpresë, ke parë një ndryshim? Ke parë ti në eksperiencën tënde?

Dr. Kita Sallabanda: Kam pasur një rast të bukur? Keni kohë ta tregojmë?

Mira Kazhani: Po, po. Kemi kohë. Na e trego rastin e bukur.

Dr. Kita Sallabanda: Para gjashtë viteve isha roje këtu në neurokirurgji. Isha në shtëpi, se isha roje i lokalizuar. Më merr në telefon specializanti që ishe roje dhe më thotë: Doktor, ka ardhur një vajzë amerikane, një studente që është në koma. Kanë bërë një aksident automobilistik. Ajo kishte dalë natën me shokët dhe shoqet. Në këto baret e Madridit, kur është behar njerëzit dalin në rrugë, duke pirë në trotuar, duke pirë në trotuar dhe në një moment atje, një makinë e merr përpara këtë gocën. Vjen me këmbët e veta në spital dhe aty në spital hyn në koma. Unë shkoj, më thërrasin për të bërë atë që quhet ‘kranitiomia kompresive’, i heq një pjesë të kockës komplet. Se kur bën një aksident, fillon të ketë një ënjtje të trurit dhe është ajo që shkakton vdekjen e trurit. Atëherë që të mos ketë vdekje të trurit, i heq një pjesë të kockës, që trurin ta lësh të lirë. Ishte një vajzë e re, 20-vjeçare. 19 duhet të ishte në atë kohë. I kisha hequr një pjesë të kockës, është standard i kirurgjisë që bëhet. Lihet që truri të ç`ënjtet. Ajo nuk ishte rikuperuar nga kjo gjë. Duke diskutuar me kolegët u thashë që do t`i heq edhe pjesën tjetër të kockës. Ishte një gjë që s`ishte bërë asnjëherë këtu. Ishte një gjë që nuk ishte shkruar në literaturë. Po isha para një situate, ose do të bëja diçka më tepër… në atë kohë kishin ardhur dhe prindërit nga Amerika. I ati ishte stomatolog. E ëma ishte ekonomiste. Erdhi i vëllai. Erdhi ambasadorja amerikane. Ishte një familje shumë e relacionuar në SHBA siç duket. Erdhi edhe ambasadorja, edhe për historinë që ishte një studente amerikane që kishte ardhur… I ati konsultohet me kirurgët në Amerikë. Ata i thonë që është budallallëk. Nuk mund të bëhet operacion se është skandal. Ne nuk e kemi bërë. Më pyet i ati përpara se të futem në sallë: Si të duket? I them: Shiko, nëse s`bëhet ajo do vdesë. Nuk e ka bërë asnjëri. Unë do ta bëj. Ai më tha: Po të ishte vajza jote, do ta bëje? Unë i thashë që po. Është një pyetje shumë e vështirë kur të pyesin: Po të ishte vajza jote, nëna jote, babai yt, vëllai yt… si do ta bëje? Aty mjeku ndodhet në një pozitë shumë të vështirë. Unë i thashë: Po të ishte vajza ime, do ta bëja. Atëherë bëje më thotë. Futem në sallë të operacionit. I heq komplet pjesën tjetër të kafkës. I lë vetëm këtë pjesë sipër. Ishte gjithë kafka jashtë dhe truri u çlirua. Ishte mbështjellë truri me lëkurën. Truri u çlirua. E futën në hipotermi. Ia ulën temperaturën e trupit me ekipin e anestezistëve. E mbajtëm 3 javë në koma dhe mbas tre javëve ajo vajzë u zgjua, u zgjua totalisht. Kaloi nga reanimacioni, shkoi në kat dhe pastaj do t`i vija kockën, sepse truri ishte jashtë. Duhej t`i vija kockën që të vihej në pozicionin e vet. Përpara se të bëja këtë operacion ajo ishte shumë e frikësuar sesi do bëhej operacioni. Më thotë: Unë të dua si babain tim të dytë. U preka jashtëzakonisht shumë. Vendosja e kockës është një operacion po ashtu shumë i vështirë. Se ishin mësuar të gjithë njerëzit të vendosnin kockën nga njëra anë. Po të vendosej kocka nga të dyja anët ishte kompleks si operacion, sepse në të njëjtën kirurgji duhet të kthesh kokën nga njëri krah e nga krahu tjetër. I vendosa të dyja kockat. Ajo u bë shumë mirë. Më ka dërguar fotografitë. I rifitoi të gjithë kapacitetet e saj.

Mira Kazhani: Sot jeton mirë e bukur?

Dr. Kita Sallabanda: Jeton në Çikago. Vitin e kaluar më ftoi në Çikago dhe vajtëm familjarisht.

Mira Kazhani: Kjo është një histori mrekullie…

Dr. Kita Sallabanda: Diku aty ka qenë Zoti…

Mira Kazhani: Ndoshta përmes jush ka gjetur mënyrën.

Dr. Kita Sallabanda: Është gjëja më e bukur që më thotë kjo vajzë, baba. Më thotë, më shkruan ‘baba’. “Nuk e di se kush do më çojë në altar, ti apo babai im”, më thotë. Ajo është shumë e prekur…

Mira Kazhani: Ka shumë të drejtë. Jetën e parë ne e marrim të gjithë ‘for granted’, për të mirëqenë. Po e dyta është më e shtrenjtë. Ajo ka jetën e dytë prej jush.

Dr. Kita Sallabanda: Unë mendoj që këtu më ndihmoi Zoti!/Tirana Post