Ballina Bota Zgjedhje në Bullgari për herë të pestë në dy vjet

Zgjedhje në Bullgari për herë të pestë në dy vjet

Votuesit në Bullgari nisen të dielën, më 2 prill, për në qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare të pesta të vendit në dy vjet. Sondazhet sugjerojnë se as ky votim nuk do të mund t’i japë fund ngërçit politik që e ka kapluar vendin më të varfër dhe një nga më të korruptuarit të BE-së.

Më shumë se 5.600 kandidatë që përfaqësojnë 14 parti politike dhe shtatë koalicione partiake kanë kandiduar për të zënë 240 ulëset në Asamblenë Kombëtare, parlamentin e Bullgarisë. Një parti duhet t’i sigurojë të paktën 4 për qind të votave për të fituar ulëse në parlament.

Vendvotimet janë hapur në orën 7 të mëngjesit sipas kohës lokale dhe do të mbyllen në orën 20:00. Analistët thonë se pjesëmarrja mund të pengohet nga një valë kërcënimesh me bomba të kësaj jave, që çuan mbylljen e qindra shkollave që do të funksiononin si qendra votimi.

Bullgaria është qeverisur kryesisht nga qeveritë e përkohshme të emëruara nga presidenti Rumen Radev. Kjo pasi që zemërimi i grumbulluar për vite të tëra për korrupsion u shndërrua në protesta masive në vitin 2020. Kriza politike e ka shtyrë Bullgarinë të shtyjë miratimin e euros si valutë deri në vitin 2025.

Vendi ballkanik me afro 8 milionë banorë, i dyti më i korruptuari në BE sipas Transparency International, po lufton gjithashtu me inflacionin e rritur që po pengon rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia COVID-19. Bullgaria kishte normat më të larta të vdekshmërisë nga COVID-19 në BE, shkaku i përqindjes së ulët të vaksinuarve.

Partia e qendrës së djathtë GERB, e cila drejtonte qeverinë kur shpërthyen protestat, dhe koalicioni pro-evropian i Ne Vazhdojmë Ndryshimin dhe Bullgaria Demokratike pritet të kryesojnë në votime, njësoj si në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar.

Votimet e fundit ishin ndjekur nga përpjekje të shumta të dështuara nga partitë për formimin e një koalicioni të qëndrueshëm qeverisës.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të ketë vëzhgues në terren për të vëzhguar votimin.

Frika se mund të manipulohet me rezultatin e zgjedhjeve është shtuar shkaku i një vendimi të zyrtarëve zgjedhorë për ta kufizuar përdorimin e makinerive elektronike të votimit dhe për t’u kthyer në fletëvotimet e letrës.

Pas fushatës zgjedhore, kreu i Televizionit Kombëtar Bullgar, Emil Koshlukov, pranoi publikisht se debatet nuk kishin qenë gjë tjetër veçse “parodi”. Ai u kërkoi falje shikuesve dhe prezantuesve televizivë që u detyruan të dëgjonin “marrëzitë e plota”.

Më 2 shkurt, Radev shpërndau parlamentin dhe njoftoi për zgjedhje të parakohshme pasi gjashtë përpjekje për formimin e një qeverie kishin dështuar që nga korriku i vitit 2022.

Kjo erdhi pasi qeveria pro-perëndimore e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, u rrëzua në qershor përmes një vote mosbesimi në parlament pas vetëm gjashtë muajsh në pushtet.

Daniel Smilov, profesor në Universitetin e Sofjes, parashikon se votimi nuk do t’i japë fund ngërçit politik të vendit.

“Fatkeqësisht, nuk shoh një zgjidhje të lehtë dhe shumë të shpejtë të situatës”, tha Smilov për REL-in.

Paqëndrueshmëria do të vazhdojë të ketë ndikim negativ në Bullgari, shtoi Dimitar Beçev, pedagog në Universitetin e Oksfordit.

“Po, paqëndrueshmëria është e keqe – jo aq për shkak të Ukrainës sepse Bullgaria do të vazhdojë të kontribuojë, por për shkak të hyrjes së vonuar në eurozonë”, tha Bechev për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarisht, Bullgaria, gjithashtu anëtare e NATO-s, ishte një nga vendet e fundit të BE-së që i ofroi zyrtarisht Ukrainën ndihmë ushtarake. Por, jozyrtarisht, Bullgaria besohet se mund t’i ketë dhënë më shumë ndihmë.

Petkov tha së fundi se vendi i tij kishte furnizuar në fshehtësi Ukrainën me municion dhe naftë në muajt e parë pasi Rusia filloi pushtimin e saj më 24 shkurt 2022.