Pak para takimit të Ohrit në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, Sekretari i Shtetit të SHBA-ve z. Blinken merrë mesazh të fuqishëm nga Kongresi Amerikan për çështjen e Luginës së Preshevës!
Bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Kongresin e SHBA-ve, Kongresistët Himes dhe Torres, i dërgojnë letër zyrtare Sekretarit Blinken përmes së cilës kërkojnë që të drejtat e shqiptarëve në jugun e Serbisë, respektivisht në Luginën e Preshevës, të trajtohen në mënyrë reciproke me ato të minoritetit serb në Kosovë.
“Dialogu është dizajnuar për të sjellë një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë njohjen reciproke,” shkruajnë Himes e Torres, duke shtuar se “duke pasë parasysh historinë e konfliktit në rajon, dështimi për të siguruar të drejta të barabarta dhe të qëndrueshme [për shqiptarët në Luginë], mund të vëjë në pikëpyetje të gjitha aspektet e marrëveshjes.”
Tutje, Kongresistët i shkruajnë Blinken se “plani i tanishëm 11-pikësh [Propozimi Evropian] nuk përmend askund të drejtat e minoritetit [shqiptar]…dhe ne insistojmë që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen finale.”
Përderisa po insistohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, “ne kërkojmë dhe avokojmë tek ju për trajtim reciprok të minoritetit shqiptar në jug të Serbisë apo për një asociacion të ngjashëm për ta,” theksohet në letrën kongresionale.
Kongresistët e pëfundojnë letrën duke thënë se “ne qëndrojmë fuqishëm në përkrahje të dialogut dhe ju inkurajojmë që të trajtoni në mënyrë të barabartë të drejtat e minoriteteve në të dyja vendet.”
Jashtëzakonisht mirënjohës miqëve tanë në Kongres për përkrahjen e parezervë ndaj kërkesave të drejta dhe legjitime të shqiptarëve etnikë në Luginë të Preshevës. Puna dhe angazhimi ynë, pas shumë takimeve në Capitol Hill, po jep fryte konkrete. Ashtu siç është fituar beteja për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës përmes Capitol Hill në Washington, DC, poashtu do fitohet edhe kauza për Luginën, nën lidershipin e Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe përkrehësve të saj e patriotëve shqiptaro-amerikanë!
Hiç më larg se dy javë më parë, bashkë me delegacionin e Luginës kishim nderin që të takonim Kongresistët Himes e Torres në Capitol Hill.
E përsëris: Beogradi s’ka parë gjë akoma!