Një nga grupet më të rrezikshme, degë e grupit terrorist Shteti Islamik, ka vendosur në objektiv Perëndimin dhe mund të organizojë një sulm brenda këtij viti, tha një zyrtar i lartë ushtarak amerikan.
Megjithë përplasjet sporadike mes talebanëve në Afganistan dhe degëzimit në Afganistan të Shtetit Islamik, të njohur me emërtimin IS-Khorasan apo ISIS-K, ky grup terrorist është pranë eksportimit të luftës përtej kufijve të Afganistanit, u tha të enjten ligjvënësve amerikanë Komandanti i Komandës Qendrore (CENTCOM), Gjenerali Michael Kurilla.
“Mund të ndërmarrin operacione të jashtme kundër interesave amerikane apo perëndimore brenda gjashtë muajve, me pak ose aspak paralajmërim”, tha Gjenerali Kurilla.
Komandanti i CENTCOM-it tha se ka më shumë gjasa që operativët e grupit IS-Khorasan të sulmojnë objektiva perëndimore apo amerikane në Azi ose Evropë, duke vënë në dukje se do të ishte “shumë më e vështirë” për ta që të bëjnë sulme në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Vlerësimi i Gjeneralit Kurilla vjen mbi një vit e gjysëm pasi forcat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani, duke ulur kështu shumë kapacitetet e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve për të mbledhur të dhëna zbulimi për grupime si IS-Khorasan, apo rivalja Al-Kaida.
Vlerësimi pason deklarata të ngjashme nga zyrtarë të lartë amerikanë që shohin evidencë se grupi IS-Khorasan synon të bëhet i pranishëm në skenën globale.
“Është çështje kohe përpara se të kenë aftësinë dhe synimin për të sulmuar Perëndimin”, u tha ligjvënësve javën e kaluar kreu i Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes, Gjeneral Lietnant Scott Berrier.
Në janar, zyrtarja më e lartë amerikane kundër terrorizmit i tha audiencës gjatë një videokonference se IS-Khorasan është “aktori i rrezikshëm për të cilin jam më e shqetësuar”.
“Shohim shenja në rritje se ISIS-Khorasan në Afganistan dhe ambicja e tij mund të shtrihet përtej territorit të afërt”, tha drejtorja e Qendrës Kombëtar Kundër Terrorizmit, Christine Abizaid, duke mos pranuar megjithatë që të jepte detaje se sa shpejt mund të përpiqet të godasë kjo nëndegë e ISIS-it.
Vende të tjera po shohin gjithashtu shenja të një rritjeje të grupit IS-Khorasan.
Të dhënat e zbulimit të ndara mes vendeve anëtare në një raport të Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar paralajmëruan se IS-Khorasan ka diku nga 1 mijë deri në 3 mijë luftëtarë që kanë krijuar celula në Kabul dhe në provincat Kunar, Nangarhar dhe Nuristan.
Grupe më të vogla të luftëtarëve të IS-Khorasan mendohet se janë vendosur në pesë provinca të tjera dhe grupi është duke rekrutuar në mënyrë aktive në shumë gjuhë, që nga gjuha pashto, në persisht dhe në rusisht.
Raporti paralajmëroi më tej se IS-Khorasan po kërkon të “dëmtojë marrëdhëniet mes talebanëve dhe vendeve fqinje … nëpërmjet sulmeve ndaj misioneve diplomatike”.
Gjenerali Kurilla nuk është zyrtari i parë amerikan që sugjeron se një sulm nga ky grup ndaj një objektivi perëndimor mund të jetë i pashmangshëm.
Në tetor 2021, vetëm disa muaj pas tërheqjes së forcave amerikane, zyrtari numër tre në Pentagon paralajmëroi se IS-Khorasan ishte në pozita për të kryer operacione të jashtme brenda gjashtë deri në 12 muaj.
Ky parashikim i tmerrshëm nuk u realizua dhe deri disa muaj më parë, shumica e zyrtarëve amerikanë binin dakort se dega afgane e ISIS-it kishte dhënë pak tregues se mund të godiste jashtë rajonit.
Zyrtarët e ushtrisë dhe të zbulimit amerikan kanë thënë se një vlerësim më i saktë mbi zhvillimet në Afganistan ka qenë i vështirë për shkak të mungesës së një pranie në terren dhe distancave që avionët amerikanë të vëzhgimit dhe dronët duhet të mbulojnë përpara se të mund të bëjnë mbikëqyrje.
“Zbulimi ynë është dobësuar”, u tha Gjenerali Kurilla ligjvënësve të enjten.
“Po punojmë për ta mbushur këtë boshllëk me mjete alternative ajrore dhe disa nga mënyrat tona të tjera të zbulimit”, shtoi ai, duke paralajmëruar, “mendoj se mundemi t’i shohim konturet e gjera të një sulmi [por], ndonjëherë na mungojnë detajet në mënyrë që të kemi pamjen e plotë”.
Siria dhe Iraku
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime për aktivitetin e ISIS-it në Siri dhe Irak.
“Ndërsa ISIS-i është degraduar ndjeshëm në Irak dhe Siri, grupi ruan aftësinë për të kryer operacione brenda rajonit dhe ka dëshirën për të goditur jashtë tij”, u tha Gjenerali Kurilla ligjvënësve.
Një shqetësim i madh janë 10 mijë luftëtarët e ISIS-it që mbahen në rreth 26 burgje kryesisht të improvizuara në mbarë Sirinë verilindore.
Gjenerali Kurilla tha se CENTCOM-i po punon me Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, për t’i konsoliduar burgjet në objekte më të reja dhe më të sigurta.
Gjithashtu shqetësim janë gratë, fëmijët dhe të afërmit e tjerë të luftëtarëve të burgosur ose të vdekur të ISIS-it, veçanërisht ata në kampin e personave të zhvendosur në al-Hol, në verilindje të Sirisë, i cili aktualisht mban rreth 51 mijë njerëz, përfshirë më shumë se 30 mijë fëmijë.
“Rreth 50% e kampit beson dhe përkrah një formë të ideologjisë [së Shtetit Islamik]”, paralajmëroi Gjenerali Kurilla. “Gjysma tjetër po përpiqet t’i shpëtojë ISIS-it”./VOA