Rritja e çmimeve të vezëve në Shqipëri për fillimin e 2023 ka shënuar një vlerë më të lartë sesa mesatarja europiane.
Si çdo produkt ushqimor për shkak të inflacionit edhe veza ka pësuar një rritje të mëtejshme e cila për fillim vitin për Shqipërinë është përkthyer në 39.3% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga 35 vende të marra në studim Shqipëria renditet në vendin e 11 përsa i përket rritjes së çmimeve për këtë produkt. Të dhënat për janarin 2023 tregojnë se çmimi i vezëve në BE ishte mesatarisht 30% më i lartë se në janar 2022 ose 8.9% më pak se Shqipëria.
Ndër vendet e Europës, rritja më e lartë e inflacionit vjetor për vezët u regjistrua në Çeki (+85% në janar 2023 krahasuar me janarin 2022), e ndjekur nga Hungaria (+80%) dhe Sllovakia (+79%).
Rritje më të vogla por ende të konsiderueshme u regjistruan në Gjermani dhe Luksemburg (të dyja +18%) dhe Austri (+19%). Nëse ndalemi në të njëjtën periudhë në vendin tonë shohim që shifrat e Institutit të Statistikave janë larg raportimeve të “Eurostat”.
Pavarësisht se në Shqipëri u shënua një zbutje e papërfillshme e rritjes së çmimeve për shkak se inflacioni ra nga 7.2% në 7.1%, grupi i qumështit, bulmetrave dhe vezëve shënuan vlera të larta.
Sipas Instat çmimet e nëngrupit “Qumësht, djath dhe vezë” rezultojnë 28% më të larta se një vit më parë. Mesa duket shifrat e Institutit të Statistikave raportojnë një realitet larg mesatares europiane dhe asaj që Shqipëria rezulton në rang Europe./Burimi: SCAN