Raporti i fundit i papunësisë tregoi se më shumë vende pune u shtuan gjatë muajit shkurt në ekonominë amerikane. Kjo ndodhi pavarësisht rritjes së normave bazë të interesit, ndërsa indikatorët tregojnë se inflacioni vijon të jetë i lartë në ekonominë më të madhe në botë.
Punëdhënësit shtuan 311.000 vende pune muajin e kaluar, nga një shifër e rishikuar prej 504,000 në janar, tha Departamenti i Punës. Shkalla e papunësisë u rrit lehtë në 3.6 për qind, nga niveli i ulët i fundit i parë në fund të viteve 1960.
Numrat vijnë disa ditë pasi kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell paralajmëroi se banka qendrore e SHBA është e përgatitur të përshpejtojë ritmin e rritjes së normave të interesit dhe mund të rrisë normat më lart se sa pritej nëse do të jetë e nevojshme për të frenuar inflacionin kokëfortë.
“Numrat e sotëm të vendeve të punës janë të qarta. Ekonomia jonë po ecën në drejtimin e duhur”, u tha gazetarëve të premten presidenti Joe Biden.
Ai shtoi se me lehtësimin e inflacionit, ai ndjehej “i sigurt se po shkojmë në drejtimin e duhur” edhe në këtë front.
Presidenti Biden u ndal edhe tek borxhi publik i SHBA. Ai tha se rritja e deficitit është rreziku më i madh për ekonominë amerikane. Përdorimi i opsionit të falimentit në pamundësinë e pagimit të shërbimit të borxhit do të ishte katastrofale tha presidenti amerikan që ka prezantuar edhe një plan për uljen e menjëhershme të indiaktorit, e cila pjesërisht do të financohet nga një taksë mbi të pasurit.