Nëse ka një produkt që mund ta identifikojë më së miri Mesdheun është pa dyshim vaji i ullirit dhe historitë shekullore që mbartin pemishtet e veçanta të tyre.
Në shume kultura, madje edhe në tonën, ulliri do të thotë jetëgjatësi e kjo nuk lidhet vetëm me një simbol kulturor, por sigurisht edhe me vlerat shëndetësore të këtij produkti.
Këtu do të ndalemi pak më gjatë në artikullin e sotëm, për të trajtuar një nga zgjedhjet më interesante të një prej bareve mëtë frekuentuar të kafes në botë. Gjigandi Amerikan i përgatitjes së pijeve me kafeinë Starbucks Milano, ka lajmëruar së fundëmi klientët e tij se do të servirë një lloj të ri kafe.
Quhet Oleato dhe vjen në pesë lloje të ndryshme shijesh të kafes së përzier me vaj ulliri.
Si lindi kokteili i veçantë i mëngjesit?
Bëhet fjalë për një seri pijesh me bazë ekspresin, qumështin dhe vajin e ullirit të cilën mund ta pasuroni sipas dëshirës tuaj me shije të tjera si vanilja apo karameli.
Linja Oleato përgatitet duke përzier me kujdes vajin e ullirit ekstra të virgjër Partanna me origjinë nga Sicilia dhe kafe të cilësisë së lartë arabica. Duke dhuruar një shije e cila ofron aromën e fortë të kafes dhe butësinë e vajit të ullirit e cila mund të shijohet e ngrohtë në dimër dhe e ftohtë në verë.
Ky kokteil i ri kafeje është ideuar nga Amy Dilger, krijuesja kryesore e pijeve për Starbucks në të gjithë botën. Për të arritur në produktin final, kafja dhe vaji i ullirit përpunohen në mënyrë organike në mënyrë që të ruhet freskia dhe shija e të dy produkteve.
Për kompaninë konsiderohet si një nga pijet më të veçanta në 40 vite për shkak të përzierjes së cilësisë, pasionit dhe trashigimisë në një gotë të vetme.
Çfarë e bën vajin e ullirit kaq të vlefshëm?
Është një nga ushqimet më të rëndësishme të Dietës Mesdhetare e me siguri e konsumoni në përditshmërinë tuaj dhe njihni nga afër cilësitë e mira të këtij produkti.
Studime përgjatë viteve tregojnë se vaji i ullirit dhe dieta e pasura me të ndihmojnë organizmin duke ulur rrezikun e prekjes nga kanceri, parandalimin e Alzhaimer dhe forcimin e zemrës. Një lugë gjelle vaji ulliri përmban 120 kalori, 14 gramë yndyrë dhe aspak kolesterol.
Rreth 77% e yndyrës së vajit të ullirit është (mono) e pangopur dhe 9% është (poli) e pangopur. Vaji i ullirit i virgjër përmban antioksidantë beta-karroten dhe vitaminë E.
Të gjitha këto vlera e e bëjnë vajin e ullirit një nga prodhimet më të vlefshme të gjithë zonës së Mesdheut, dhe Shqipërisë ndaj mos e lini jashtë dietës tuaj. Edhe nëse jo në kafe, një kombinim në recetat e përditshme do t’ju pasuronte jo vetëm shijen.